Britania e Madhe është duke ushtruar presion të madh që nisma e Ballkanit të Hapur të dështojë, kështu shkruan një gazetë serbe duke cituar një diplomat anonim.
Sipas “Serbian Monitor”, tregu i përbashkët i punës mes Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë është “gjemb në sy për disa shtete perëndimore”, përfshi Britaninë e Madhe që po insiston në dështimin e kësaj nisme.
Një diplomat është shprehur nën anonimitet se presioni më i madh për ndalimin e projektit të Ballkanin e Hapur po bëhet ndaj presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrin shqiptar Edi Rama.
“Anglezët janë më këmbëngulësit në synimet e tyre për të rrëzuar nismën e Ballkanit të Hapur. Ata po ushtrojnë presion të madh, veçanërisht ndaj Maqedonisë së Veriut, e cila është hallka më e dobët e kësaj nisme pas largimit të Zoran Zaev dhe emërimit të ekonomistit Dimitar Kovaçevski kryeministër i ri më 17 janar të këtij viti. Bullgaria dhe Rumania janë nën ndikimin e madh të Perëndimit dhe Serbia më e fortë ekonomikisht nuk u përshtatet atyre; Presioni është mbi Vuçiçin dhe Ramën që të ndalojnë projektin”, ka thënë një diplomat i paidentifikuar.
Gazeta serbe thotë se liderat e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut kishin planifikuar të mbanin një takim në muajin mars, por për shkak të luftës në Ukrainë u vendos të shtyhet deri në muajin maj.
“Edhe pse udhëheqja serbe po përpiqet t’i rezistojë këtyre presioneve, sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës dhe kriza që pasoi kanë vonuar disa ngjarje të planifikuara. Edhe pse përfaqësuesit e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut kishin planifikuar të mbanin një takim të ri në mes të marsit si pjesë e iniciativës, u ra dakord që për shkak të luftës në Ukrainë, takimi të shtyhet deri në maj, kështu që “të gjithë mund të fokusohen në krijimin e kushteve për funksionimin normal të ekonomive të tyre përkatëse dhe të monitorojnë efektet dhe pasojat e luftës në Ukrainë në treg”, shkruan gazeta serbe Monitor.