Nga Adriatik Doçi
Prokurorët panë në kompjuterin e Zotos pagesat për fjetje në hotele për drejtoreshën e Gjiknurit, çuditërisht jo për Ahmetajn
Nga dosja prej 30 mijë faqesh e SPAK-ut për inceneratorin e Elbasanit, rezulton se hetuesit kanë parë me lupë pagesat që ka bërë Klodian Zoto për akomodimin në hotele me 5 yje të Etleva Kondit, ish drejtoreshë e Damian Gjiknurit për PPP-të në Ministrinë e Energjitikës dhe anëtare e Komisiomit të Vlersimit të Ofertave për inceneratorët.
Pagesat korruptive janë zbuluar nga rikuperimi i të dhënave në kompjuterat e Klodian Zotos, pronar i kompanisë koncensionare të inceneratorëve. Zonja Kondi ishte caktuar nga Zoto dhe Gjiknuri për të bërë letrat e koncensionit para se të ‘fitohej’ nga Zoto.
Duke qenë në rolin e ‘cironkës’ në këtë histori, syrit të hetuesve nuk u kanë shpëtuar pagesat e Zotos për llogari të zonjës Kondi.
Por, çuditërisht, hetuesit, dhe këtu përfshihen edhe dy prokurorët e SPAK-ut, Klodian Braho dhe Ened Nakuçi, ‘nuk kanë parë’ pagesat e Klodian Zotos për akomodimin e Arben Ahmetajt në hotelet me 5 yje të Evropës.
E-mailet për pagesat kanë qenë në të njëjtin kompjuter, por syri i hetuesve ka kapur ‘cironkën’, por jo ‘peshkun’ e madh.
Nëse në Shqipëri ekziston shteti ligjor dhe barazia para ligjit, hetimet për inceneratorët duhet të përmbysen nga Gjykata e Posaçme dhe të kthehen në pikën zero.
Hetimey duhet të nisin nga ‘peshku i madh’ Arben Ahmetaj, pronari real i inceneratorëve dhe dy prokurorët që fshehën provat, duke devijuar hetimet drejt personave me role periferike.
Mirë pagesat e Zotos ndaj Ahmetajt që janë mbuluar qëllimisht, po raportet prej dy dekadash të Zotos me Ahmetajn dhe Gjiknurin, pse nuk hetohen?
Po vilën që Zoto i ka dhuruar Ahmetaj në Hamallaj, përmes një manovre banale, pse nuk hetohet?
A po presin që të nxjerrim ne edhe letrat se si Ahmetaj u bë pronar i vilës, përmes një kontrate qiraje fiktive që gjithsesi nuk e ka deklaruar në ILDKPKI?!