Kryeministri Edi Rama, ka publikuar mëngjesin e sotëm intervistën e tij me gazetaren franceze të TV5Monde, për të folur për rolin që do të ketë Shqipëria në Këshillin e Sigurimit, meqë u zgjodh në këtë organizëm.
E një vend i vogël si Shqipëria, aleate e SHBA, gazetarja franceze e ka ngacmuar për krizën e nëndetëseve mes Francës dhe SHBA. Kujtojmë se një javë më parë Presidenti Macron tërhoqi ambasadorët nga Uashingtoni dhe Sidney, pasi Australia prishi në mënyrë të njëanshme kontratën me Parisin për nëndetëset, dhe e lidhi atë me SHBA dhe Britaninë. Franca e konsideroi pabesi një veprim të tillë të SHBA dhe çështja duket se ka hyrë në kanale diplomatike për t’u zgjidhur.
Një vend i vogël si Shqipëria, buzëqeshi kur u pyet për këtë debat, pavarësisht se çështja në Francë është shumë sensitive.
Gazetarja: Ju mbroni multilateralizmin, kriza trans-atlantike ka vend në OKB me çështjen e nëndetëseve. Si një vend evropian shumë i lidhur me SHBA në cilin krah qëndroni, në krahun e Parisit apo të Uashingtonit?
Edi Rama: Jo. Ne jemi vertetë aleatë krenarë të SHBA, por jemi gjithashtu miq besnik të Francës dhe nuk hyjmë në këtë lloj krize le të themi, mes të dyve, sepse nga njëra anë nuk mund të bëjmë asgjë për ta zgjidhur. Dhe nga ana tjetër jam i sigurt që ndërmjet Presidentit Macron dhe Presidentit të SHBA Joe Biden, ka mjaft aftësi për të dialoguar dhe për ta zgjidhur krizën në mënyrë sa më miqësore.