Gent Sejko: Kriza politike mund të godasë aktivitetin ekonomik

0
30
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko duke folur për situatën aktuale politike në vend, tha se kriza politike mund të godasë aktivitetin ekonomik,

Sejko theksoi se në Shqipëri është ulur niveli i papunësisë, kurse shtoi se paga mesatare ka njohur rritje me 4.9 për qind.

“Punësimi dhe pagat kanë ardhur në rritje. Sipas INSTAT, niveli i papunësisë u ul, kurse paga mesatare është rritur me 4.9 përqind. Ambienti financiar paraqitet stabil. Kursimet gjithashtu kanë njohur rritje.

Kredia me probleme ka trend rënie, kjo tregon se sektori i kredisë është më i stabilizuar. Zgjatja e mosmarrëveshjeve në politikë mund të bëjë që të ketë probleme në ekonomi. Këshilli Mbikëqyrës mbajti një mbledhje të jashtëzakonshme për rastin, duke mbajtur të palëvizur normën e interesit. Kursi i këmbimit varet nga faktorë sezonalë”, tha Sejko ndër të tjera.

Fjala e Guvernatorit Sejko në konferencën për shtyp për vendimmarrjen e politikës monetare, 3 korrik 2019

Të nderuar përfaqësues të medias,

Sot, në mbledhjen e datës 3 korrik 2019, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin e Ndërmjetëm të Politikës Monetare.

Informacioni i ri i marrë në analizë ka qenë në kahun e poshtëm të pritjeve tona. Ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet gjatë dy tremujorëve të parë, por me ritme më të ngadalta krahasuar me vitin e kaluar. Inflacioni vijon të mbetet nën objektiv, kryesisht si pasojë e efektit frenues që vazhdon të japë forcimi i shpejtë i kursit të këmbimit gjatë vitit të shkuar. Nga ana tjetër, kushtet monetare paraqiten stimuluese dhe aktiviteti kreditues ka shfaqur shenja rikuperimi. Parashikimet tona për të ardhmen nuk kanë pësuar ndryshime të ndjeshme, ndonëse rreziqet e kahut të poshtëm janë rritur.

Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës gjykoi se qëndrimi aktual stimulues i politikës monetare mbetet i përshtatshëm për të garantuar kthimin e inflacionit në objektiv, brenda një horizonti kohor afatmesëm.

Në vijim do të trajtoj më në detaje mesazhet kryesore të shtjelluara më sipër.

***

Në përputhje me pritjet tona, inflacioni ndoqi një trajektore rritëse në muajt prill dhe maj, duke shënuar përkatësisht vlerat 1.4% dhe 1.5%. Ecuria e inflacionit gjatë muajve të fundit ka pasqyruar kryesisht luhatjet e çmimeve të ushqimeve dhe të naftës.

Në këndvështrimin makroekonomik, niveli nën objektiv i inflacionit vazhdon të pasqyrojë rritjen ende të ngadaltë të pagave dhe të kostove të prodhimit në ekonomi, inflacionin e ulët në partnerët tanë tregtarë, dhe efektin prapaveprues të forcimit të kursit të këmbimit gjatë vitit 2018. Duke u bazuar në trendet e observuara, Këshilli Mbikëqyrës gjykon se presionet e brendshme dhe ato të importuara inflacioniste do të kthehen gradualisht në linjë me objektivin tonë të inflacionit gjatë dy viteve të ardhshme.

Sipas të dhënave të Instat-it, aktiviteti ekonomik në vend u rrit me 2.2% në tremujorin e parë të vitit. Ngadalësimi i ritmit të rritjes erdhi kryesisht si pasojë e tkurrjes së prodhimit dhe eksportit të energjisë elektrike. Të dhënat e tërthorta të disponuara sugjerojnë se ekonomia shqiptare ka pasur një ecuri të ngjashme dhe në tremujorin e dytë. Në terma të kërkesës agregate, rritja ekonomike vijon të mbështetet nga konsumi dhe investimet, ndërkohë që deficiti i shkëmbimeve tregtare me jashtë është zgjeruar dhe politika fiskale vijon të ruajë një kah konsolidues. Në tërësi, rritja ekonomike e vitit 2019 pritet të jetë më e ngadaltë se ajo e një viti më parë, duke pasqyruar goditjen e ofertës që vjen nga rënia e prodhimit të energjisë elektrike.

Pavarësisht ngadalësimit të ritmit të rritjes, punësimi dhe pagat kanë ardhur në rritje në tremujorin e parë. Sipas të dhënave të Instat-it, norma e papunësisë zbriti në nivelin 12.1%, ndërsa paga mesatare shënoi një rritje vjetore prej 4.9%. Kjo ecuri krijon premisa për një rritje më të shpejtë të inflacionit të gjeneruar në vend, duke ndihmuar kthimin e inflacionit në objektiv.

Politika monetare lehtësuese është harmonizuar me konsolidimin fiskal dhe ka krijuar një ambient financiar të karakterizuar nga norma të ulëta interesi, likuiditet i bollshëm, dhe prime rreziku në rënie. Stimuli monetar ka reduktuar kostot e financimit të sektorit privat, ka mbështetur rritjen e kreditimit, të konsumit dhe të investimeve, si dhe ka krijuar premisa për një ecuri të qetë të kursit të këmbimit. Ky i fundit, ka ndjekur një trend të lehtë mbiçmues gjatë tremujorit të dytë, duke qenë në linjë me sjelljen e tij sezonale. Megjithatë, të dhënat e tregtisë së jashtme dhe funksionimi i qetë i tregut valutor sugjerojnë se kohëzgjatja dhe intensiteti i forcimit të kursit të këmbimit do të mbeten të kufizuar. Për rrjedhojë, dhe efekti frenues i tij në inflacion do të vijë drejt reduktimit.

Kushtet e favorshme të kreditimit janë përkthyer në rritje të qëndrueshme të kredisë për sektorin privat. E rregulluar për kreditë e nxjerra jashtë bilancit dhe kursin e këmbimit, kredia për sektorin privat ka shënuar një rritje vjetore prej rreth 6.7% në muajt prill e maj. Zgjerimi i portofolit të kredisë ka qenë më i balancuar, si në drejtim të strukturës së monedhave ashtu dhe në drejtim të destinacionit të saj, duke regjistruar zgjerim të portofolit si në kredinë për individë dhe në atë për biznese. Ndonëse e moderuar, rritja e kredisë për biznese është një sinjal pozitiv për përmirësimin e kërkesës dhe ofertës për kredi. Rikthimi i treguesit të kredisë me probleme në trend rënës, sikundër ilustrohet nga ulja e tij në nivelin 11.37% gjatë muajit maj, jep sinjale inkurajuese për përmirësimin e mëtejshëm të ambientit të kreditit dhe të bilanceve të sektorit bankar.

Duke gjykuar mbi trendet aktuale të zhvillimit, si dhe faktorët përcaktues të tyre, Banka e Shqipërisë vlerëson se kërkesa agregate do të vijë në rritje gjatë horizontit afatmesëm. Zgjerimi i aktivitetit ekonomik do të mundësojë shfrytëzimin e plotë të kapaciteteve prodhuese dhe pritet të gjenerojë rritje të punësimit e rritje më të shpejtë të pagave dhe të kostove të prodhimit. Inflacioni parashikohet të kthehet në objektiv gjysmën e parë të vitit 2021.

Rreziqet e kahut të poshtëm mbeten predominuese dhe janë forcuar më tej. Ato lidhen me ambientin e jashtëm, me ecurinë e kursit të këmbimit dhe ndikimin e tij në inflacion, me aftësinë që oferta për kredi do të ketë për t’iu përgjigjur përmirësimit të pritur të kërkesës, dhe së fundmi me situatën politike në vend. Zgjatja e mosmarrëveshjeve politike në vend do të reflektohet në klimën e biznesit dhe mund të godasë aktivitetin ekonomik.

***

Nisur nga këto konsiderata, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se politika monetare do të vijojë të mbetet stimuluese edhe gjatë horizontit afatmesëm. Në këtë mbledhje, ai vendosi:

të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 1.0%;

të mbajë të pandryshuara normat e interesit të depozitës dhe kredisë njëditore, respektivisht në nivelet 0.1% dhe 1.9%.

Politika monetare do të vijojë të mbetet stimuluese gjatë horizontit afatmesëm. Intensiteti i stimulit monetar do të përshtatet me shpejtësinë dhe qëndrueshmërinë e përmirësimit të aktivitetit ekonomik. Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të reagojë ndaj goditjeve të mundshme, me qëllim sigurimin e arritjes së objektivit të inflacionit.

 

Zjarr Tv Ad