Miliarderët amerikanë George Soros dhe Bill Gates, janë pjesë e konsorciumit që do të blejë Mologic, prodhuesi i testeve Covid me bazë në Britaninë e Madhe, në përpjekje për të rritur aksesin në ‘teknologjinë mjekësore të dorës së fundit e të përballueshme’ kudo në botë, sipas një deklarate të nxjerrë të hënën.
Fondi Soros për Zhvillim Ekonomik dhe Fondacioni Bill & Melinda Gates, njoftuan nisjen e një iniciative të re, Global Access Health (GAH), që synon fuqizimin përhapjen në botë të teknologjisë mjekësore, si dhe blerjen e Mologic Ltd, e njohur më së miri për teknologjinë e testeve hundore, që përdoret për testet e shpejtë anti-Covid.
Sipas deklaratës, Konsorciumi GAH, që përfshin edhe krahët filantropikë të Soros e Gates, do të investojë të paktën 41 milionë dollarë në këtë marrëveshje.
Soros dhe Gates, janë pjesë e komunitetit të miliarderëve që synojnë të drejtojnë përpjekjet filantropike në të ashtuquajturin jugu global, që u referohet kryesisht rajoneve të Amerikës Latine, Azisë, Afrikës dhe Oqeanisë, për të cilat druhen se kanë mbetur prapa, teksa Perëndimi ka përshpejtuar programet e vaksinimeve dhe testimeve vitet e fundit.