Makina e përdorur nga autorët e vrasjes së ish-policit Arben Bilali është gjetur nga policia disa orë pas krimit, disa kilometra larg vendit të ngjarjes.
Burime nga policia thanë se automjeti tip “Mercedez Benz SLS”, me ngjyrë blu të errët, u gjet në afërsi të Mjull Bathores. Pas verifikimeve, rezultoi se bëhej fjalë për të njëjtën makinë, me targat AA 757 RV, të vjedhur dy vite më parë në Vlorë.
Nga këqyrja në brendësinë e saj ekspertët kanë fiksuar prova të rëndësishme që mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes. Por më e rëndësishmja është arma që u gjet në makinë, një automatik, me të cilin dyshohet të jetë kryer vrasja.
Aktualisht, provat po ekzaminohen në laboratorin e Kriminalistikës, për të përftuar ndonjë gjurmë apo mbetje biologjike, që ka efekt krahasimi. Burimet thanë se makina është gjetur e padëmtuar, ndryshe nga raste të ngjashme që autorët u vinin flakën provave.
Por në këtë rast duket se atentatorët janë frikësuar dhe kanë nxituar të braktisin makinën për t’i shpëtuar Policisë. Në zonën ku u gjet automjeti, ditën e ngjarjes po zhvillohej një operacion Antidrogë, në bashkëpunim mes Policisë së Tiranës dhe të Durrësit, gjatë të cilit u sekuestruan 5 kg heroinë, shkruan ‘panorama’. Mesa duket, autorët kur kanë parë Forcat Operacionale në aksion, kanë nxituar vetëm që të largohen vetë, duke lënë pas shumë prova që mund t’i shërbejnë hetimit.
MOMENTI I VRASJES
Para se të mbetej i vrarë në atentat, mesditën e së mërkurës së kaluar, Arben Bilali kishte qenë në shoqërinë e mikut të tij, shtetasit me iniciale A.Ç. Ky i fundit është marrë në pyetje si dëshmitar i ngjarjes dhe ka shpjeguar se si 50-vjeçari u vra sapo zbriti nga makina e tij tip “Golf 4”. Sipas materialit të referuar në Prokurori, A.Ç. ka deklaruar se bashkë me Arben Bilalin ka shkuar për të dërguar makinën në servis, pasi kishte një defekt dhe në momentin që janë kthyer, ka ndodhur sulmi i menjëhershëm me armë.
Siç shihet edhe në pamjet e fokusuara nga një kamera sigurie në vendin e ngjarjes, pas automjetit tip “Golf 4”, ku 50- vjeçari ishte si pasagjer, është një makinë tjetër tip “Mercedes Benz CLS”. Në një moment, shoku i Bilalit ka ndaluar makinën vetëm për pak sekonda.
Në këtë kohë, Arben Bilali ka zbritur dhe shfaqet duke kaluar mes dy makinave. Sipas pamjeve, viktima duket kur kalon para mjetit të atentatorëve, madje edhe shikon drejt tyre. Por sapo kalon rrugën dhe i afrohet trotuarit, makina e shokut të tij vijon rrugën drejt, ndërsa atentatorët i afrohen Bilalit dhe hapin zjarr drejt tij.
Nga pamjet nuk duken autorët, madje as arma e krimit, pasi ata janë kujdesur që të mos ndalojnë dhe as të mos nxjerrin kokën jashtë. Mësohet se në drejtim të 50-vjeçarit ka qëlluar njëri nga autorët, i cili nuk ka zbritur nga makina. Ai ka qenë i ulur në sediljen e pasme pas shoferit dhe pa nxjerrë kokën në dritare, ka ulur xhamin duke qëlluar.