Gjergj Luca reagon pas komenteve në rrjet: Nesër Ballkani i Hapur nuk do jetë i Ramës dhe Vuçiç-it, brezat do të ngrenë ura bashkëpunimi

0
185
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Biznesmeni Gjergj Luca ka sqaruar qëndrimin e tij ndaj nismës Ballkanit të Hapur pas një video të publikuar një ditë më parë në faqen e tij e cila ka sjellë reagime të shumta në rrjet.

Luca ka publikuar një intervistë të dhënë në News 24 ndërsa shprehet se Ballkani i të nesërmes nuk është vetëm gadishulli i Ramës apo Vuçiç por do të jetë Ballkani i brezave të së ardhmes që ngrenë ura bashkëpunimi.

“Ballkani i së nesërmes i anëtarësuar në Bashkimin Evropian nuk është vetëm gadishulli i Ramës, Vuçiçit apo Lucës por do të jetë Ballkani i brezave të së ardhmes që ngrenë ura bashkëpunimi mbi rrënojat e nacionalizmave të sëmura”, shkruan Luca.

Në deklaratën e dhënë për News 24, ai shpjegonte edhe qëndrimin e tij në lidhje me iniciativën për Ballkanin e Hapur. “Të gjithë njerëzit ekonomia i bashkon, ekonomia sjell dashuri, mbyll plagët, sjell konsolidim”, shprehej ai.

“Njerëzit mes demagogjisë dhe ekonomisë, kanë zgjedhur ekonominë. Ne kemi pasur rreth 50 vjet burg, kemi jetuar në burg, të gjithë hanim 4-5 herë në javë grosh e të dielën merrnim ndonjë krah pule. Kosova përballë nesh nuk e ka pasur flamurin, pra nuk e ka pasur demagogjinë, por ka pasur ekonominë. Në Kosovë njerëzit kanë shkuar e janë specializuar në mes Zagrebit, në mes të Ljubjanës dhe kanë lëvizur në të gjithë Evropën pa vizë.

Pra, Kosova donte flamurin dhe sot ka probleme me ekonominë, ndërsa ne ishim në burg, por kishim flamurin. Kosova mendoj se e ka fituar luftën për flamurin, por tani njerëzit duan të shohin ekonominë. Ekonomia është heqja e barrierave. Ekonomia është që ne që prodhojmë t’i hipim makinës e të shesim në Ballkan. Ngërçi i bujqësisë sot është te tregu.

Si mendojnë këta njerëz se i korrigjojnë plagët e hapura prej luftës? Mendojnë se i korrigjojnë duke i lënë njerëzit dhe shtetet nëpër llogoret e veta, apo mendojnë se duke hapur kufijtë, duke punuar njerëzit me njëri-tjetrin?

Nuk mund të bëhet ndryshe. Për mua, këta njerëz që kanë marrë iniciativën e Ballkanit të Hapur janë politikanët më të mirë të 100 viteve të fundit, që kanë menduar për këtë vend. Të gjithë njerëzit ekonomia i bashkon, ekonomia sjell dashuri, mbyll plagët. Duhet të çohen gjithë këto vende peshë, për të hequr kufijtë e për të shëruar këto plagë përmes ekonomisë, për të qenë më të konsoliduar. Këta që gërthasin kundër Ballkanit të Hapur janë demagogë”, ka deklaruar Luca.

Një ditë më parë ai publikoi një video krah mikeshës së tij, gazetares serbe Dragana duke dhënë një mesazh që solli shumë komente. “Përshëndetje. Këtu me Draganën. Është nga Serbia. Ka qenë konsulle në ambasadën serbe dhe gazetare për një nga agjencitë më prestigjozë ne Serbi. Radio televizioni serb njësoj si RTSH-ja jonë. Djali i Draganës me vajzën time Majën janë të dy në një shkollë prej tre katër vitesh.  Studiojnë bashkë, janë shumë shokë dhe për inerci dhe ne prindërit jemi bërë shumë shumë shumë shokë bashkë. Dragana është një grua e mrekullueshme, që e do shumë Shqipërinë.

Që e do shumë Serbinë. Ka qenë një nga urat më komunikuese mes njerëzve, mes shpirtrave dhe është një nga luftëtaret më të zjarrta të Open Ballkan bashkë me mua. Shumë respekt për të gjithë njerëzit me shpirtin e Draganës. Rroftë Ballkani i Hapur”, shpreh Gjergj Luca.

Zjarr Tv Ad