Gjermani, moti i keq sjell vonesa në transportin ajror e hekurudhor

0
4

Të hënën udhëtarët vuajtën pasojat e stuhive në Gjermaninë qëndrore dhe jugore që shkaktuan pezullime të fluturimeve dhe vonesa të trenave gjatë fundjavës.

Rreth 41 fluturime u pezulluan në aeroportin ndërkombëtar të Frankfurtit natën e së dielës dhe tetë fluturime të tjera u devijuan, tha të hënën një zëdhënëse e operatorit të aeroportit Fraport.

Si pasojë e dëmtimit të linjave të energjisë, rreth 400 persona u bllokuan për orë të tëra në një tren ndërqytetas në Roth të Bavarisë. “Treni nuk u furnizua me energji dhe si pasojë ndaloi në mes të shinave,” tha një zëdhënës për policinë federale të hënën në mëngjes. U desh ndërhyrja e zjarrfikësve dhe autoriteteve të shpëtimit deri në mesnatë për të nxjerrë pasagjerët nga treni.

Problemet me linjat e energjisë dhe pemët e rrëzuara mbi shina kanë shkaktuar ndërprerje të shërbimeve hekurudhore në të gjithë rajonin e Hesses të hënën.

Shërbimet hekurudhore midis Frankfurtit dhe Mannhemit u pezulluan për shkak të riparimeve në një kuti sinjali e cila u godit nga rrufeja pranë Walldorfit në jug të Hesses.

Ende nuk dihet sa kohë do të zgjasë riparimi dhe si rrjedhojë edhe ndërprerja e këtij shërbimi.

Stuhitë gjithashtu shkaktuan dëme në shtëpi dhe makina në rajon, duke mos kursyer as çatinë e bashkisë së qytetit në Moerfelden-Walldorf në jug të Hesses. Dy persona u plagosën lehtë në Mainz teksa i zuri një pemë.