Rregullorja e posaçme e qeverisë gjermane, publikuar nëntorin e 2015-tës, për punësimin ligjor të qytetarëve nga Bosnja, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia e Shqipëria ka dhënë mjaft efekt.
Ministria e Jashtme e Gjermanisë i konfirmoi Deutsche Welles “rritjen e ndjeshme të kërkesave për vizë nga vendet e Ballkanit Perëndimor me qëllim punën në Gjermani. Numri i kërkesave për vizave është shumëfishuar dhe vazhdon të rritet.”
Qëllimi i kësaj nisme ishte të ulej vala e azilkërkuesve te parregullt. Dhe në fakt, nuk ishin të paktë ata që arritën ta përmbushnin dëshirën e tyre.
Vetëm në nëntë muajt e parë të vitit të kaluar ambasadat gjermane në vendet e Ballkanit Perëndimor dhanë 19.294 viza pune. Ambasada gjermane në Tiranë arriti për vitin 2017 të japë 2796 viza. Shifra është e lartë, por duket e pamjaftueshme, thotë DW.
Sepse në dyert e ambasadave presin akoma më shumë aplikues për një vizë pune. Agjencia Gjermane e Punës dha nga janari deri në shtator 2017, gati 23.000 miratime provizore paraprake për aplikuesit nga Kosova, por viza u dhanë vetëm për rreth 4800 vetëve.