Nënkryetari i Shoqatës për Mbrojtjen e Luginës së Drinit, Shemsi Prençi dhe aktivistja Ferzileta Gjika komentuan protestën e së shtunës kundër ndërtimit të hidrocentralit të Skavicës. Gjika theksoi se mesazhet ishin të qarta ndërsa shtoi se ndërtimi i Skavicës zhduk historinë dhe kulturën e Dibrës.
“Kundër ndërtimit të Skavicës pasi zhduk 35 fshatra, historinë dhe kulturën, gjithçka që përfshihet me rajonin e Dibrës.”-tha Gjika.
Shemsi Prençi është i mendimit se Dibra e Bulqiza kanë prodhuar me miliarda ton krom në vit ndërsa jetojnë në varfëri ekstreme. Ai theksoi se qeveria nuk mendon asnjëherë për qytetarët.
“Rajoni i Dibrës, ka gjeografi interesante dhe histori mjaft interesante. Pasuri nëntokësore shumë të madhe.
Kësaj Dibre mund t’ja marrim pasurinë në forma të tjera. Dibra e Bulqiza nuk ka vuajtur se s’ka pasur të mira materiale, por me miliarda ton krom për vite me radhë.
Edhe pse prodhojnë të mira materiale, janë rajoni më i varfër.
Bie poshtë pretendimi i qeverisë që me Dibrën do prodhojnë energji elektrike, kur Dibra dhe Kukësi do rrinë në varfëri ekstreme.”-tha Prençi.