Bashkëkryetari i reformës zgjedhore, Damian Gjiknuri në një deklaratë për mediat nga Kryesia e Kuvendit foli për një kapitull të ri të hapur për proceset zgjedhore që ka të bëjë me depolitizimin e administratës zgjedhore në Shqipëri.
Gjiknuri tha se në mbledhjen e sotme u diskutua mbi draftin që sanksionon se ‘komisionet zgjedhore të të gjitha niveleve do të jenë jo politike, por se të gjithë qytetarët mund të jenë pjesë e procesit dhe se gjithçka sa i takon përzgjedhjes i lihet shortit, pra rastësisë, duke shmangur kështu një prej gangrenave më të mëdha të zgjedhjeve në Shqipëri, politizimit të administratës zgjedhore’.
“Sot u prezantua nga ekspertët dhe pati pyetje e diskutime nga anëtarët një nga nismat më të rëndësishme të zgjedhjeve në Shqipëri, që është depolitizimi i plotë i administratës zgjedhore në të 3 nivelet. Për herë të parë do sanksionojmë përfundimisht që partitë politike heqin dorë nga zgjedhjet. Partitë politike nuk kanë më asnjë kompetencë në çështjet e administrimit zgjedhor në të gjitha nivelet,” u shpreh Gjiknuri.
Ai tha se ky është një hap shumë i rëndësishëm në këtë drejtim që po hedh Shqipëria, të cilin nuk ngurroi ta quante akt revolucionar, pasi përbën një ndarje nga një epoke zgjedhore 30-vjeçare kur votat e qytetarëve administroheshin nga partitë dhe jo nga vetë ata.
“Ky është një akt shumë revolucionar për Shqipërinë që adreson një kërkesë të kahershme të të gjithë vëzhguesve ndërkombëtarë që Shqipëria ka ardhur në momentin të ketë një administratë zgjedhore totalisht të depolitizuar, do të thotë që skema garanton paanshmërinë, askes të çdo qytetari të interesuar që pasi kryen një proces trajnimi kryesisht të gjithë administratën shtetërore e bën atë me detyrim në mënyrë që këta njerëz të marrin certifikatën e të përcaktohen vetëm nëpërmjet procedurave që përcakton kodi dhe i lihet tërësisht shortit, rastësisë, dhe nuk zgjidhet më nga partitë politike,” tha Gjiknuri.
Ai pohoi se ky proces do marrë të gjithë kohën e nevojshme për tu diskutuar nga palët, ekspertët, aktorët e të gjithë subjektet e përfshira, por nga ana tjetër tha se është e mirëpritur nga të gjithë dhe ajo çka mbetet për tu parë në vijim të punës së Komisionit të Reformës Zgjedhore janë modalitetet.