GJKO ka marrë vendim për Fredi Belerin, kryebashkiak i zgjedhur i Himarës, duke e dënuar me dy vite burg për korrupsion në zgjedhje.
SPAK kishte kërkuar burgosjen e Belerit për dy vite e gjashtë muaj.
Ndërsa, Pandeli Kokaveshi, bashkëpunëtor i Belerit, u dënua me një vit e gjashtë muaj burg, por dënimi me burg për të është pezulluar dhe do të qëndrojë tre vite në shërbim prove.
Beleri e ka konsideruar procesin politik, ndërkohë që çështja e tij ka krijuar tension të vazhdueshëm mes Athinës dhe Tiranës, duke ndikuar edhe në procesin e negociatave të Shqipërisë me Baskimin Europian.
Pala greke ka qenë mjaft e zëshme në mbrojtje të Belerit, ndërkohë që qeveria shqiptare ka kërkuar të respektohen vendimet e drejtësisë.
Beleri tha në gjykatë se ndaj ti nuk ka prova dhe se do ta kërkojë drejtësinë deri në fund.
“Këto konkluzione nuk mund të merren parasysh, dosja nuk ka fakte ndaj nuk kam kërkuar gjykim të shkurtuar. Të gjitha gjetjet e Prokurorisë kundërshtohen nga avokatët e mi. Herët a vonë, e vërteta do dalë një ditë. Jam përgjuar 24 orë në ditë, provat nuk përputhen. Në të njëjtën kohë që thuhet se Arseni ka folur me mua, ai ishte në komisariatin e Vlorës. Prokuroria duhet të verifikonte faktet. Gjykata e Apelit pranoi të gjitha kërkesat e prokurorisë dhe asnjë kërkesë timen. Një ndër to t’i kërkonte informacion gjykatës së Vlorës. Kjo është një çështje politike, me mua u shkelën të gjitha parimet edhe prezumimi i pafajësisë. U tejkaluan kompetencat. Kërkesa e prokurorisë për 2.6 vjet burg nuk ka asnjë logjikë.
Për dy kryetarë bashkie ka kërkuar shërbim prove. Sa herë të ketë zgjedhje rezultati do jetë i njëjtë, himarjotët nuk janë budallenj. Është e padrejtë që kësaj çështjeje t’i jepet kuptim patriotik. Jam besimplotë nuk e ndjej veten fajtor. Herët a vonë do gjej drejtësi. Sot duhet t’i thoni jo presionit të pushtetit, të tjerët janë kalimtarë dhe besnikë të partisë. Dy prokurorët do t’i gjykojë historia”, ka deklaruar Beleri në gjykatë.