Anëtari i Këshillit Bashkiak të New Yorkut, Mark Gjonaj, tha sot se marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara janë dhe do të jenë gjithmonë të forta dhe asgjë nuk do të mund t’i dëmtojë ato.
Ai i bëri këto komente në Prishtinë, ku po qëndron së bashku me një delegacion shqiptaro-amerikanë. Zoti Gjonaj u dekorua me medaljen “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, për siç u tha “lartësimin e vlerave shqiptare kudo që janë, posaçërisht në Amerikë”.
“Marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara janë të forta dhe gjithmonë do të jenë të forta dhe asgjë nuk do të mund të minojë marrëdhëniet që kemi dhe forcën tonë së bashku. Sa u përket kushteve të tanishme që janë shprehur mendimet nga komuniteti ndërkombëtar, këto janë gjëra me të cilat ne merremi dhe ne do t’i hedhim ato mbi themele të forta, është diçka me të cilat duhet të rritemi, pra janë dhimbje të rritjes. Por, Kosova është një vend i pavarur dhe duhet të fillojë të veprojë në mënyrë të pavarur, pa ndërhyrje të bashkësisë ndërkombëtare dhe forcave të jashtme, duhet të luftojë për vetveten, të mendojë për vete dhe të paracaktojë të ardhmen e vet”.