Gjoni-mazhorancës: Doni të bëni marrëveshje përmes çunave problematikë

0
2

Deputeti i opozitës Ralf Gjoni gjatë fjalës së tij në Kuvend tha se mazhoranca po kërkon të bëjë pazare me PD dhe aleatët e saj përmes çunave problematikë.

Duke ju drejtuar ministres së Drejtësisë, Etilda Gjoni për ashpërsimin e Kodit Penal theksoi se problemi i Shqipërisë nuk janë qytetarët por sipas tij çunat problematikë në Shqipëri.

Ralf Gjoni: “Ministre Kodi Penal patjetër të ashpërsohet por sot problemi i Shqipërisë nuk janë qytetarët problematikë, por çunat problematikë që tallen me vjedhjen e votës së qytetarëve shqiptarë. Ka disa qytetarë problematikë por ka edhe qytetarët të ndershëm të cilët kanë dëshirë të shkojnë tek kutia e votimit dhe të votojnë të lirë të barabartë dhe të kenë besim se vota e tyre do numërohet. 

Pse nuk e bëjnë dot këtë qytetarët shqiptarë? Sepse në politikë ka çuna problematikë. Kemi kaq muaj që flasim dhe ulërasim në Parlament si opozitarë të pavarur por të bashkuar për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Para 4-5 muajsh talleshin me ne këtu, ishin cinikë në ekranet televizivë. Këta këtu që nuk janë as 10 sot që diskutojnë për Kodin Penal, me në krye kryeministrin e tyre që përsëri nuk është prezent në sallën e Parlamentit sepse nuk e llogari fare këtë Parlament e kanë injoruar kërkesën tonë për ndryshimin e sistemit zgjedhor duke bërë lojëra dhe duke u munduar ta shtyjnë sa të munden sepse shpresojnë në marrëveshje dashuriçke me Lul Bashën dhe shokët e shoqet e tij. 

Këta shpresojnë se do bëjnë marrëveshje përmes çunave problematikë, problemi është se këta nuk e kanë menduar asnjëherë në fantazitë e tyre më të egra sesa problematikë mund të jemi këtu në opozitë, në parlament me votën tonë të bashkuar kundër zullumeve dhe pisllëqeve që po ndërmarrim përmes nismave ligjore dhe marrëveshjeve të fshehta e pazareve që mundohen të gatuajnë në kurriz të shqiptarëve.