Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, konsideron se përparimi në gjithë Ballkanin Perëndimor është i rrezikuar dhe se “nervozizëm të veçantë” krijojnë, sipas tij, negociatat e reja midis presidentëve të Kosovës dhe Serbisë. Në një intervistë për gazetën franceze Le Figaro, Gjukanoviçthotë se shkëmbimi eventual i territoreve midis Kosovës dhe Serbisë është një risi e plotë, andaj, shton ai, duhet pasur kujdes që të mos krijohet ndonjë precedent që do të nxiste efektin domino në rajon. “Kjo temë për kohë të gjatë ka qenë tabu, sepse na i ka kujtuar përvojat e këqija nga vitet ’90. Pas përfundimit të luftërave, në rajon është folur më shumë për multikulturalizmin dhe demokracinë multientike.
Është e vërtetë që disa kryeqytete perëndimore e kanë ndryshuar mendjen e tyre”, thotë Gjukanoviç. Ai e sheh si kërcënim për Ballkanin edhe përkeqësimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kroacisë. “Kam frikë se një zhvillim i tillë i situatës u hap rrugë mbështetësve të ‘Serbisë së madhe’.
Disa prej tyre përsëri kanë nisur të vënë në dyshim pavarësinë e Malit të Zi, duke pretenduar se Serbia ka të drejtë natyrore mbi Malin e Zi. Kjo retorikë është e rrezikshme në kohë të paqëndrueshmërisë, gjë që është dëshmuar edhe në vitet ’90”, thotë Gjukanoviç.