Gjykata e Tiranës ka dhënë masën arrest me burg ndaj 45-vjeçarit nga Berati, i cili hiqej si punonjës i ambasadës shqiptare në Greqi.
45-vjeçari u dënua me 8 muaj burg pasi arriti të mashtronte një qytetar për një pasaportë greke.
Qytetari që ra pre e mashtrimit të shtetasit L.M, kërkonte pajisjen e vajzës së tij me pasaportë greke brenda një kohe të shkurtër dhe si shofer i linjës së autobusëve Shqipëri-Greqi, ishte njohur me të pandehurin në një udhëtim në vitin 2017.
Kallëzuesi, shtetasi A.Gj., i kishte kërkuar ndihmë L.M. për pasaportën e vajzës, pasi ky i fundit i kishte thënë se punonte në ambasadë. Sipas dosjes hetimore, të siguruar nga “Panorama”, L.M. i ka kërkuar shumën prej 2000 eurosh në mënyrë që të mund t’i përshpejtonte procedurat e nxjerrjes së pasaportës për vajzën e të kallëzuarit, e cila ndodhej në Gjermani në atë moment ku po merrte kurim.
Në lidhje me pagesën e kryer, kallëzuesi ka deklaruar se një pjesë të shumës, konkretisht shumën prej 1260 eurosh, ia ka dërguar me shërbime të transfertave të parave në datën 08.06.2017 nga Gjermania në Shqipëri dhe në lidhje me këtë fakt, në dosje është administruar edhe kopja e mandatit të arkëtimit.
Ai ka thënë në Prokurori se me L.M. ka pasur kontakt përmes telefonit. Pasi nuk ka marrë pasaportën dhe ka pritur për një kohë të gjatë, A.Gj. ka deklaruar se ka shkëmbyer edhe sharje në telefon me L.M.. Në datën 21.09.2017, L.M. i ka thënë të takoheshin në Berat, por që nga frika e një kurthi të mundshëm nuk ka shkuar. Pasi dosja shkoi për gjykim, L.M. sipas sistemit TIMS, gjendej jashtë Shqipërisë.
Gjyqi ka nisur në mungesë, ndërsa i akuzuari është përfaqësuar nga një avokat dhe sërish e ka humbur atë, duke marrë dënimin prej 8 muajsh burg, të reduktuar pas gjykimit të shkurtuar. Në total, Gjykata e dënoi shtetasin L.M. me 1 vit burgim.