Sandër Beci do të jetë anëtari i ri i gjykatës Kushtetuese. Me emërimin e Becit në këtë pozicion, tashmë gjykata do të ketë 8 anëtarë në total.
Beci i cili është edhe anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, do të zëvendësojë Fatmir Hoxhën i cili ishte shkarkuar më parë nga organet e Vettingut. Kandidatura e tij u votua nga 7 anëtarë të gjykatës së Lartë. Ndërsa mori 4 vota kundër.
Njoftimi i Plotë:
Bazuar në nenin 7/ç të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë” (i ndryshuar) dhe Rregullores “Për zgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese”, Mbledhja e Posaçme e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë zhvilloi, sot, më datë 15 mars 2022, procesin e votimit për zgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.
Mbledhja e Posacme e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, pasi u njoh me listën e kandidatëve të renditur nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, në përfundim të procesit të votimit, vendosi të shpall fitues me 7 (shtatë) vota pro, kandidatin Sandër Beci.
Rezultati i votimit do t’i njoftohet menjëherë, Kryetarit të Kuvendit, Presidentit të Republikës dhe Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.