Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e deputetëve të PD: Nuk ka Komision Hetimor për Becchettin! (Vendimi i plotë)

0
80
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Gjykata Kushtetuese njofton se nuk ka pranuar kërkesën e deputetëve të PD, për ankimimin e ngritjes së Komisionit Hetimor për të ashtuquajturën “çështja Becchetti”. Tre nga anëtarët e Gjykatës kanë votuar pro kërkesës dhe katër të tjerët kundër.

“Nga sa më lart, Gjykata, pasi mori në shqyrtim legjitimimin e një të katërtës së deputetëve që kanë vënë në lëvizje gjykimin kushtetues në raport me një të katërtën e deputetëve që kanë kërkuar ngritjen e komisionit hetimor në Kuvend, nuk arriti numrin e kërkuar të votave për vendimmarrje…. […]kërkesa e një të katërtës së deputetëve konsiderohet e rrëzuar”, thuhet ndër të tjera në vendim.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur për rrëzimin e kërkesës. “Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare”, thuhet në fund të vendimit.

Votuan për legjitimimin e kërkuesit gjyqtarët Marsida Xhaferllari, Përparim Kalo dhe Sonila Bejtja. Votuan kundër legjitimimit të kërkuesit gjyqtarët Vitore Tusha, Elsa Toska, Altin Binaj dhe Fiona Papajorgji.

“Në çështjen konkrete, Gjykata vëren se kërkesa për ngritjen e komisionit hetimor e depozituar në Kuvend është nënshkruar nga 39 deputetë. Referuar dokumenteve bashkëlidhur kërkesës, në Kuvend, gjatë seancës plenare të datës 14.10.2021, kanë votuar pro ngritjes së komisionit hetimor gjithsej 46 deputetë, ndërsa kërkesa për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencave drejtuar Gjykatës është nënshkruar nga 36 deputetë, 5 nga të cilët nuk rezultojnë të kenë nënshkruar kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor.

Pra, vetëm 31 nga 36 deputetë që i janë drejtuar Gjykatës rezultojnë të kenë nënshkruar edhe kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor. Në këtë situatë, edhe pse kërkesa drejtuar Gjykatës formalisht plotëson numrin e kërkuar nga neni 77, pika 2, i Kushtetutës (35 deputetë), lista nominale e deputetëve në të dyja kërkesat nuk përputhet”, njofton Gjykata Kushtetuese.

Zjarr Tv Ad