Ish-kryebashkiaku i Lushnjes Fatos Tushe, i akuzuar për “Shpërdorim detyre”, ka dalë sot para Gjykatës së Posaçme të Apelit, ku kërkoi që t’i ndryshohet masa e sigurisë dhe të mos qëndrojnë në “Arrest me burg”.
Para togave të zeza, Fatos Tushe, ka pranuar se e njeh biznesmenin Ibrahim Lami, por ka mohuar që ai të ketë gisht në tendera. Edhe pse në përgjimet e SPAK, Tushe është kapur duke folur me biznesmenin Lami, ai insiston se nuk ka ndikuar në tendera.
“E njoh Ibrahim Lamin, por s’kam asnje lidhje me veprime qe bien ndesh me detyrën. Nuk kam pasur asnje autoritet mbi tenderin, nuk kam qene kryetar dhe ent prokurues, ka qene Drejtoria e Punëve Publike dhe jo Bashkia e Lushnjes. Ibrahim Lamin e njoh, por s’kam lidhje me tenderin”, ka thënë Tushe.
Prokurorja e SPAK Manjola Kajana, e ka bërë të qartë në seancë, se Fatos Tushe, duhet të qëndrojë në qeli.
PËRDITËSIM: Gjykata e Posaçme e Apelit, ka lënë në fuqi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për ish-kryebashkiakun e Lushnjes. Gjithashhtu, në qeli do të qëndrojnë edhe biznesmenët Ibrahim Lami dhe Bujar Murati. Të pandryshuara masat e sigurisë janë dhe për të arrestuarit e tjerë.