Deputetja demokrate Albana Vokshi thotë se selinë e PD nuk e shkatërruan mbështetësit e Sali Berishës, por personat që ndodheshin në ambientet e brendshme. Në një deklaratë për mediat pasi Gjykata liroi 34 të arrestuarit, Vokshi tha se Policia dhe Prokuroria dështuan të siguronin prova.
“Edhe Prokuroria dhe Policia dështuan të siguronin qoftë dhe një provë të vetme për implikimin e tyre. Ata të 18, kanë protestuar në mënyrë paqësore, janë arrestuar apo ndaluar në ambiente shumë larg selisë së PD. Pa pasur asnjë fakt. Kjo tregon se arrestimet e 18 protestuesve janë bërë me lista të shpërndara nga brenda PD.
As organet ligjzbatuese nuk kanë reaguar në kohën e duhur pasi më datë 6 janar është raportuar në Polici për persona me precedent penalë të dënuar deri me 25 vite burg në vendet fqinje. Në datë 7 janar është regjistruar si procedim në Prokurori por nuk është vepruar. Më datë 8 janar ata kanë sulmuar protestuesit.
Kemi parë që xhamat e katit të parë janë thyer nga brenda. Protestuesit që hapën derën janë sulmuar nga brenda. Në momentin që janë qëlluar me sende të forta, janë thyer nga brenda në mënyrë që të bëhej ajrosja e ambienteve. Ende ka hetime për tu bërë. Kush e ka shkatërruar godinën nga brenda dhe kush ka dhunuar demokratët?”, u shpreh Albana Vokshi.