Lirohen nga qelia banorët e lagjes së ‘5 majit’ në Tiranë të cilët u arrestuan me 22 shkurt pasi kundërshtuan prishjen e shtëpive të tyre.
Këtë të premte Gjykata ka pranuar kërkesën e Prokurorisë duke caktuar masën e sigurisë “Detyrim paraqitje” për 5 banorët, Gjin Nikolli 64 vjeç, Agim Marku 52 vjeç, Mirash Marku 51 vjeç, Ndue Marku 40 vjeç dhe Laureta Nikolli 32 vjeçe. Përfaqësuesja ligjore e tyre Adriana Kalaja, e konsideroi arrestimin e banorëve si ndalim politik.
Kujtojmë se me 22 shkurt u zhvillua aksioni i radhës i IKMT për shëmbjen e banesave në zonën e “5 majit”, ku për shkak të kundërshtive dhe përplasjeve me policinë u shoqëruan 7 banorë.
2 prej tyre, Bekim Cerri dhe Andi Marku u lanë të lirë për mungesë provash, ndërsa 5 protestuesit e liruar këtë të premte, u mbajtën prapa hekurave për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”.