Gjykata e Posaçme ka pezulluar për një vit hetimin për Arben Ahmetajn për dosjen ‘Buka’. Shkak thuhet se u bë mosgjetja e Ahmetajt.
Për këtë arsye, shtyrja bëhet për t’i dhënë kohë autoriteteve për gjetjen e tij dhe njohjen me akuzat.
Gjykata ka konstatuar se ish-zv kryeministri i pandehur nuk ka marrë dijeni zyrtarisht për këtë proces ndaj tij. Nga ana tjetër, prokura që ka paraqitur në gjykim avokati i tij Henrik Ligori ka qenë e hershme dhe nuk i jepte tagrat e nevojshëm për këtë gjykim. Referuar faktit se i pandehuri Ahmetaj është në mungesë, gjykata ka vendosur pezullimin e çështjes.
Dosja hetimore “Buka” me akuzën për shpërdorim detyre ndaj Arben Ahmetajt bazohet në një vendim të tij në 2014-n si ministër i Ekonomisë dhe Zhvillimit të Sipërmarrjes për procedurat e ankandit të shitjes së të gjitha aksioneve shtetërore te kjo ndërmarrje.
SPAK thotë në dosje se vendimi për hapjen e ankandit është marrë në shpërfillje të një vendimit të vitit 2006 të Gjykatës së Apelit, që ka njohur familjen Myderizi, si pronare e një trualli prej 7680 metrash katrorë të vendosur në rrugën ‘5 Maji’ në Tiranë.
Brenda këtij trualli, që gjykata ja njohu familjes Myderizi ndodhej ish-Fabrika e Bukës me sipërfaqe 6370 metër katrorë.
Vendimi i gjykatës ndalon tjetërsimin e kësaj prone pa miratimin e familjes Myderizi. Por, Arben Ahmetaj e ka shpërfillur këtë pjesë dhe ka shpallur ankandin.
Në atë kohë, biznesmeni Lirim Fezollari zotëronte rreth 40 përqind të kuotave dhe ishte kandidati potencial për blerjen e aksioneve shtetërore.
Procedura e ankandit u kundërshtua në rrugë gjyqësore nga trashëgimtarët e familjes Myderizi. Në vitin 2017, Gjykata Administrative e Apelit u dha të drejtë trashëgimtarëve. Por, ndërkohë, Ministria e Ekonomisë, nën drejtimin e Ahmetaj, kishte përfunduar ankandin, duke kaluar aksionet shtetërore tek Fezollari, i cili në përfundim të operacionin financiar zotëronte mbi 86 përqind të kuotave.
Në një kohë të shkurtër pasi mori pronësinë e kuotave dhe, rrjedhimisht edhe kontrollin me asetet e “Buka” sha”, Lirim Fezollari ia shiti trojet një tjetër kompanie, “Tobacco Holding”, e zotëruar po prej tij. Me kërkesë të trashëgimtarëve, është lëshuar urdhëri i sekuestrimit të përmbaruesit gjyqësor, me qëllim mostjetërsimin e pronave.
Por trojet ishin tjetërsuar më herët dhe asnjë institucion shtetëror nuk u interesua të vendoste paligjshmërinë në vend. Në kushtet e pasivitetit institucional, biznesmeni Fezollari, nëpërmjet “Tobacco Holding” ngre godinën që sot njihet si qendra tregtare “Emerald Mall”, e ngritur në ish-truallin e “Buka” sha., në rrugën 5 Maji.