Gjyqtarët që po lirojnë nga burgu të dënuarit e përjetshëm

0
71

Pastrimi i Drejtësisë nga gjyqtarë apo prokurorë që nuk kalojnë kriterin e pasurisë, atë profesional apo të figurës është tashmë një fakt. Për vitin 2020 janë plot 120 gjyqtarë dhe prokurorë në Tiranë dhe rrethe që do i nënshtrohen procesit të vettingut në të dy shkallët; Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Por, drejtësia ka filluar të çedojë jo pak nga ata gjyqtarë që e kanë krijuar tashmë bindjen e tyre se do ta kenë shumë të vështirë të kalojnë verifikimin nga komisionerët e vettingut. Ndaj duket se janë përfshirë në veprimet e fundit joligjore kryesisht duke përdorur taktika ligjore për lirim para kohe të atyre që kanë marrë dënim ekstrem të legjislacionit shqiptar. Dy janë kushtet që po shfrytëzojnë të dënuarit me burg përjetë për të lënë qelitë: Një hapësirë në Kodin Penal si dhe gjyqtarët, të cilët nuk kanë asnjë shpresë për të kaluar Vetingun, e për rrjedhojë po shfrytëzojnë ditët dhe javët e fundit që u kanë mbetur në detyrë, duke marrë vendime skandaloze, në këmbim të interesave financiare. Neni 65 i Kodit Penal i ndryshuar në nëntor të vitit 2008 dhe në mars të vitit 2017, parashikon që i dënuari me burgim të përjetshëm mund të lirohet me kusht nga burgu. Konkretisht, Kodi Penal i ndryshuar në vitin 2008 parashikon që i dënuari me burgim të përjetshëm mund të lirohet me kusht nga burgu, vetëm në raste të jashtëzakonshme, kur ka vuajtur njëzet e pesë vjet burgim dhe nëse ka mbajtur sjellje shembullore. Por, në vitin 2017, ligjvënësit e forcuan më tej këtë nen, i cili megjithatë po shfrytëzohet nga gjyqtarët. Neni 65 i Kodit Penal i ndryshuar në mars të vitit 2017, në kuadër të Reformës në Drejtësi, parashikon që i dënuari me burgim të përjetshëm mund të lirohet me kusht nga burgu, vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe kur ka vuajtur jo më pak se tridhjetë e pesë vjet burgim. Gjithashtu, i dënuari duhet të ketë mbajtur sjellje shembullore si dhe dënimi duhet t’ia ketë arritur qëllimit për edukimin e tij. Ligjvënësit shtuan me 10 vite të tjera kufirin e dënimit, kur një i dënuar me burgim të përjetshëm mund të lirohej nga burgu me kusht. Këto dy ndërhyrje në Kodin Penal, edhe pse në 2017 janë ngrushtuar hapësirat në Kod, po shfrytëzohen nga gjyqtarët për të liruar nga burgu të dënuarit me burgim të përjetshëm. Në burgjet shqiptare vuajnë dënimin mbi 200 të dënuar me burgim të përjetshëm. Nëse Kuvendi nuk merr masa për ndryshimin e këtij neni apo pezullimin e zbatimit të tij deri kur të përfundojë procesi i Vetingut, në ditët dhe javët në vijim, mund të lirohen të dënuar të tjerë me burgim të përjetshëm.       Sepse, në harkun kohor të pak muajve shumë “të fortë” kanë lënë qelitë, duke rikthyer frikshëm pasigurinë tek shqiptarët. Gert Gjenerali, Lul Caka, Elidon Kotorri, Nehat Kulla, Viktor Ymeri, Endrit Dokle e të tjerë. Por, pse ndodh kështu? Janë hapësirat ligjore, burgu i kryer, apo mekanizma të tjerë që zor se i kuptojnë shumica e shqiptarëve. Së pari, janë hapësirat ligjore. Ndryshimet e mëvonshme kanë përjashtuar disa vepra penale, që konsiderohen “tepër të rënda”. Së dyti, përfaqësuesit ligjorë të këtyre “të fortëve” përdorin lidhjet e dikurshme të politikës për të marrë përfitimin e nevojshëm në kësi rastesh dhe së treti, ndoshta mund të jetë edhe ajo që Rama tashmë e ka cilësuar si “KÇK”, pra “kap ça t’kapësh”.