Në ambientet e godinës së Partisë Demokratike po punohet prej disa ditësh për të hequr “gjurmët” e lëna nga Lulzim Basha, pas dorëheqjes së tij.
Komisioni i Rithemelimit i PD, me marrjen nga gjykata të së drejtës si organi që tashmë drejton partinë, ka nisur me kthimin e godinës ‘në identitet’, dhe logos së vjetër që kanë pasur demokratët.
Këtë të mërkurë, siç e shikoni në pamjet e siguruara nga Panorama, po punohet për të lyer fasadën e jashtme të godinës si dhe me vendosjen e logos së mëparshme të PD.
Po ashtu, punime janë duke u kryer dhe në ambientet e brendshme të godinës, ku siç duket nga pamjet, po vendosen postera të momenteve kyçe të arritura gjatë kohës së qeverisjes së PD, si lëvizja e lirë pa viza në Europë e shqiptarëve, në vitin 2010.
Ndërkohë që pak ditë më parë, u hodhën në tokë dhe dyert e blinduara të vendosura nga Lulzim Basha në PD para protestës së 8 janarit.
Grupi i Rithemelimit, mbështetës të Sali Berishës kanë deklaruar se ata do të bëjnë gjithcka për të hapur partinë dhe për ta bashkuar deri në fitore kundër pushtetit të Ramës.