Policia e Tiranës ka vënë në pranga administratorin dhe operatoren e një call center-i në Pazarin e Ri dhe ka shpallur në kërkim pronarin e biznesit për mashtrim kompjuterik.
Sipas policisë, të arrestuarit kishin organizuar një skemë të mirëfilltë mashtrimi, ku përmes telefonit bindnin shtetas të huaj të investonin të ardhurat e tyre në bursa fiktive. Gjatë operacionit u sekuestruan 9 kompjutera, aparate celulare dhe lista me të dhënat e ndryshme të shtetasve të huaj të mashtruar nga operatorët e call center-it.
Mësohet se në pranga kanë rënë 24 vjeçari, S.N administrator i një call centeri, 25-vjeçarja R.S, operatore si dhe shpallur në kërkim pronari.
Njoftimi i Policisë:
Finalizohet, brenda 24 orëve, operacioni i dytë për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e mashtrimit kompjuterik. Operacioni policor i koduar “Last call 2” u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në DVP Tiranë. Vihen në pranga admininstratori i një tjetër subjekti call center dhe një punonjëse (operatore), të cilët mashtronin shtetas të huaj, nëpërmjet telefonit, për të investuar në bursa fiktive. Shpallet në kërkim pronari i subjektit të paregjistruar në organet tatimore. Sekuestrohen 9 njësi kompjuterike, aparate celulare dhe lista me të dhëna të ndryshme të shtetasve të huaj që dyshohet se janë mashtruar, për të investuar në bursa fiktive. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Last call 2”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: – S. N., 24 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një subjekti call center; – R. S., 25 vjeçe, banuese në Tiranë, e punësuar si operatore në këtë subjekt. Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim pronari i këtij subjekti, shtetasi B. H., 36 vjeç, banues në Tiranë. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi S. N. administronte një subjekt privat call center, me pronar shtetasin B. H., në zonën e Pazarit të Ri. Në këtë subjekt të paregjistruar në organet kompetente ishte e punësuar si operatore shtetasja R. S., e cila, së bashku me administratorin, telefononin shtetas të huaj, u prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në bursën fiktive Forex. Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 9 njësi kompjuterike, aparate celulare dhe lista me të dhëna të ndryshme të shtetasve të huaj që dyshohet se janë mashtruar, për të investuar në bursa fiktive. Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe kapjen e shtetasit B. H. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.