Bektash Muka që është arrestuar, pas një grabitje spektakolare në Maltë, ku arriti të merrte 500 mijë euro bizhuteri ka dalë para gjykatës. Ai akuzohet për kërcënim me armë, armëmbajtë pa leje, hyrje në ambiente të kufizuara dhe për posedim të drogës. Por përveç katër akuzave, ai dyshohet se është autori i grabitjes që ndodhi pak kohë më parë në Maltë.
ARRESTIMI
Bektash Muka, 27-vjeçari nga Tirana që u arrestua dje në Maltë, është i njohur edhe në Shqipëri, kryesisht për përplasjet me Policinë në kryeqytet. Dy herë brenda vitit 2016, ai është arrestuar se ka kundërshtuar forcat e rendit, në një rast mbante edhe pistoletë me vete.
Në shtator të dy viteve më parë, emri i tij doli në skenë pasi përplasi makinën e tij tip “BMW X6” për shkak të shpejtësisë, pasi nuk iu bind urdhrit të Policisë për të ndaluar. Policia njoftoi në atë kohë se në rrugën “Sami Frashëri” shërbimet e Njësisë “Shqiponja” i kishin bërë me shenjë për të ndaluar, por ai vazhdoi rrugën duke shtuar shpejtësinë dhe u ndalua vetëm pasi u përplas me murin rrethues të një banese private në rrugën “Prokop Mima”. Por ky nuk ishte rasti i parë që ai nuk u bindej policëve. Edhe në shkurt të të njëjtit vit, kur “Shqiponjat” e ndaluan për kontroll, ai tentoi të largohej duke përplasur edhe furgonin e Policisë, ndërsa me vete iu gjet një pistoletë.