Kryeministri Edi Rama u ka kërkuar vlonjatëve që të mbajnë ambientin e tyre të pastër dhe të mos hedhin plehrat në tokë, duke thënë se “kanë në dorë diçka shumë të rëndësishme, që duhet ta vlerësojnë”.
Rama foli nga qyteti bregdetar, teksa u shpreh se një ambient i papastër largon turistët nga Vlora.
Ndërsa u kujtoi një shprehje të gjyshërve vlonjatë që sipas tij thoshin: “Lahu sa më shumë në det”.
“I them këto sepse vlonjatët, sidomos, vlonjatët duhet të kuptojnë se kanë diçka të rëndësishme në dorë, në raport me ekonominë e tyre, të mos hedhin plehrat në tokë. Për të ndërtuar turizëm të mirë s’mjaftojnë shtretërit, palmat e ndriçimi, por duhet kryesori, i zoti vendit, që është banori.
Nëse e konceptojmë si shtëpinë tonë dhe nëse kur dalim nga muret e shtëpisë ndjejmë të njëjtët pastërti si brenda, askush si hedh plehrat në kuzhinë, por në kosh. Nëse hedh plehrat në tokë, i heq qytetit të ardhura, përzë çdo turist që shikon atë mbeturinën në tokë.
Ata thonë “deti i bukur, rëra e mirë, dielli fantastik, gratë e vajzat kryevepër por burrat për t’i marrë dhe për të mos i parë më kurrë”, sepse kjo është edhe e vërtetë ndër të tjera, po le të mos e themi këtu se kemi edhe komshinjtë që janë burra më të mirë se ne. Ndaj gjyshërit këtu në Vlorë thoshin lahu sa më shumë në det”, tha Rama