Ish-i dërguari i ish-presidentit amerikan, Donald Trump për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Richard Grenell ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti duke thënë se po krijon kaos në veri për të larguar vëmendjen e popullit nga politikat e tij të dështuara në ekonomi.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Grenell u shpreh se Kurti ka thyer në mënyrë të njëanshme Marrëveshjen e Brukselit dhe Marrëveshjen e Uashingtonit.
Grenell i bëri thirrje Departamentit të Shtetit që të reagojë më ashpër ndaj Kurtit.
“Kryeministri i Kosovës Albin Kurti po krijon në mënyrë të njëanshme kaos në veri dhe po përpiqet qartë të largojë vëmendjen e popullit të Kosovës nga politika e tij katastrofike ekonomike. Deklarata e ambasadorëve të Quintit për shtyrjen e zgjedhjeve është reaktive, e ngadaltë dhe e dobët.
Kurti ka thyer në mënyrë të njëanshme Marrëveshjen e Brukselit dhe Marrëveshjen e Uashingtonit. Ai ka hedhur poshtë çdo ide amerikane që i është paraqitur. Departamenti Amerikan i Shtetit duhet të bëhet më i ashpër me të”, shkroi ndër të tjera Grenell në Twitter.