Kriza e emigracionit që ka mbërthyer Europën vitet e fundit kërkon solidarësinë e të gjitha vendeve anëtare. Presidenti francez Emanuel Makron dhe kryeministri grek Qirjakos Micotaqis, ndanë këtë mesazh në takimin e parë mes tyre në Paris.
Greqia dhe Franca kërkojnë më shumë solidaritet nga shtetet europiane për krizën e emigrantëve.
Kreu i ekzekutivit grek, Qirjakos Micotaqis u takua të enjten me presidentin francez, Emanuel Makron, në Paris.
Shefi i Elizesë vlerësoi përkushtimin e autoriteteve greke për emigrantët, por edhe ngarkesat ekonomike dhe sociale që vendi është dashur të kalojë.
Ndaj ai apeloi 28 aleatët në BE të ndajnë përgjegjësitë.
Macron: “Europa vuan nga një mungesë e theksuar solidariteti. Disa vende vazhdojnë të marrin vendime të papranueshme për temën e emigracionit dhe të mos i trajtojnë si duhet rastet me të cilat përballen.”
Kritikat e Makron shigjetonin indirekt Italinë dhe incidentin e fundit, kur mbi 100 emigrantëve në një anije humanitare spanjolle për tri javë rresht iu ndalua zbarkimi në portet italiane.
Qëndrimet e tij u mbështetën nga kryeministri Micotaqis.
Mitsotakis: “Bashkohem plotësisht me fjalët tuaja, zoti Makron, se na duhet të flasim për një Europë që i mbron qytetarët e vet, që monitoron kufijtë dhe bashkëpunon për temën e emigracionit. Por kjo barrë nuk u duhet lënë vetëm vendeve në kufijtë e Europës.”
Takimin e tij në Elize, kryeqeveritari grek e shfrytëzoi edhe për të ftuar biznesin francez të investojë në Greqi, tani që pas 10 viteve në krizë, vendi sipas tij i është rikthyer trajektores pozitive ekonomike.
Dy palët shtjelluan edhe sfidat me të cilat po përballet Athina kohët e fundit, siç janë tensionet me Turqinë për kërkimet e gazit në Qipro apo zjarret në rajon, çështje për të cilat pala franceze ofroi përkrahje të plotë.