Greqia nuk heq dorë nga marrëveshja për kufirin detar/ Deklarata e ministrit të jashtëm grek:”Problemi qëndron tek Presidenti”

0
16
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias ka dhënë një intervistë ku u shpeh se Greqia duhet të fokusohet në arritjen e një marrëveshjeje për kufirin detar në raport me Shqipërinë. Kjo u tentua edhe në vitin 2017/2018 , por dështoi.

Në intervistën për Skai TV më 7 Gusht, u shpreh se “problemi” në nisjen bisedimeve e një marrëveshjeje mes Greqisë dhe Shqipërisë për kufirin detar, sipas grekëve, qëndron tek Presidenca shqiptare. Për këtë i referohet momentit kur Presidenti i jep autorizim Ministrit të Jashtëm për fillimin e bisedimeve, duke e quajtur këtë një çështje të brendshme të Shqipërisë.

Gazetari e pyeti për raportet me Shqipërinë pasi folën për arritjen e marrëveshjes për kufijtë detarë me Italinë dhe Egjiptin, për të cilin Dendias u shpreh:

“Gjërat janë disi më të komplikuara këtu, sepse Shqipëria fillimisht ra dakord, pastaj e çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Janë disa çështje ligjore të brendshme, çështjet e tyre: Dhënia e autorizimit nga ana e Presidentit për qeverinë, që ai mund të mos jetë i gatshëm ta japë. Por kjo është një çështje që politika e jashtme e Greqisë do të merret. Nuk ka asnjë dyshim për këtë. Shqipëria është një vend mik, një vend me të cilin Greqia do që të ketë marrëdhënie miqësore, për të zgjidhur çdo problem që mund të ketë.

Ky është një nga problemet që kemi. Sigurisht që ka edhe çështje të tjera: ajo për mbrojtjen e të drejtave të minoritetit grek, që do të zgjidhet me ecurinë e negociatave të Shqipërisë, sepse kjo është pjesë e “aquis”. Këtë nuk po e themi si Greqi. Po e themi si një vend europian, dhe kjo është një këshillë për të gjitha vendet që nisin këtë udhëtim të gjatë për t’iu bashkuar familjes sonë, Bashkimit Europian. Çështja e të drejtave të njeriut është një çështje sovraniteti dhe në këtë sens, Shqipëria duhet ta shohë minoritetin grek si një faktor për zhvillimin e vendit, një urë miqësie mes Shqipërisë dhe Greqisë.”

Sa i përket pretendimeve të opozitës greke rreth objektivit kryesor në marrëveshjen me Shqipërinë që të zgjerohen ujërat territorialë nga 6 në 12 milje, Dendias tha:

“Kam gjetur një punë përgatitore në Ministri. Siç kam thënë, unë i kam të gjitha minutat e mbledhjeve të mëparshme. Ju e dini, askush nuk e nis nga zero. Nuk ka partenogjenezë. Shteti është një vazhdimësi. Dhe duhet ta respektosh trashëgiminë që ke pasur”.

Presidenca shqiptare apo Ministria e Jashtme nuk kanë reaguar ende për këto deklarata, por Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë kërkon të dijë nga qeveria shqiptare, nëse ka pasur komunikim të mëtejshëm me Greqinë.

“Të jemi të përgatitur me kohë, me alternativa të përditësuara konkrete dhe bindëse, të bashkërenduara me të gjitha institucionet më të larta dhe instancat e tjera përkatëse. Për këtë qëllim, nevojitet të fillojnë sa më shpejt në formatet e duhura konsultimet, shkëmbimi i ideve dhe mendimeve profesionale mbi alternativat paraprake me grupet e ekspertëve, pa paragjykime partiake, politike apo të tjera, në fushat juridike, ekonomike, ushtarake, teknike, të sigurisë, etj.

Mbi atë bazë, mund të bëhet mbi kritere më objektive përzgjedhja dhe krijimi i një ekipi të ri negociator gjithëpërshirës, kompetent dhe i specializuar për këto çështje”, thuhet mes të tjerave në deklaratën e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë” thuhet në deklaratën e Këshillit të Ambasadorëve

Zjarr Tv Ad