Pas urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë e cila kërkoi mbylljen e shkollave gjatë kësaj jave për shkak të situatës së rënduar gripale por edhe të ftohtit, vjen edhe reagimi i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.
MAS informon se “Mbyllja e çerdheve, kopshteve dhe shkollave është parashikuar deri në 9 janar. Mbyllja e kopshteve dhe shkollave përfshin si institucionet publike, ashtu edhe ato private. Vendimi është marrë për shkak të situatës së rënduar nga virusi i gripit. Synojmë të shmangim gripin, ndaj u vendos mbyllja e kopshteve dhe shkollave deri në 9 janar”.
Në këtë mënyrë, çerdhet, kopshtet dhe shkollat pritet të hapen të hënën e 9 janarit, duke zgjatur me pesë ditë pushimet e fundvitit.
Ndërkohë, Instituti i Shëndetit Publik rekomandon masat e mëposhtme për parandalimin, kufizimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive nga përhapja e virusit të gripit:
Masa të higjienës dhe kontrollit të infeksioneve
-Mbulimi i gojës dhe hundës me shami (mundësisht letre) gjatë kollitjes dhe teshtitjes e cila të hidhet menjëherë në koshin e mbeturinave.
-Të teshtihet apo kollitet duke përdorur gropëzën e bërrylit si mburojë.
-Të mos pështyhet në tokë.
-Larja e menjëhershme, dhe sa më shpesh, e duarve me ujë të rrjedhshëm dhe sapun. ose pastrimi i tyre ato me alkool apo dezinfektantë.
– Mënjanimi i prekjes së syve, hundës dhe gojës.
-Përdorimi i maskave gjatë kollitjes apo teshtitjes, apo në mjedise të mbyllura ku ka grumbullim masiv të njerëzve për një kohë të gjatë.
Masa të distancimit social
-Mënjanimi i kontaktit të ngushtë me njerëzit të cilët janë të sëmurë, pra çdo i sëmurë duhet të mbajë distancë nga të tjerët për ti mbrojtur ata.
-Qëndrimi në shtëpi për çdo të sëmurë.
-Njëkohësisht, në këtë sezon gripi, duhet të përpiqemi të kufizojmë sa më shumë takimet dhe grumbullimet.
Vaksinimi
-Mjeti më i mirë për të parandaluar gripin është vaksinimi.
-Ministria e Shëndetësisë pas rekomandimeve të grupit të ekspertëve dhe ISHP po kryen falas vaksinimin e punonjësve shëndetësorë si grup i rëndësishëm risku.
-Ministria e Shëndetësisë dhe ISHP kanë siguruar 93 250 doza vaksinë kundër gripit, të parakualifikuar nga OBSH.
-Kjo vaksinë po shpërndahet në të gjitha DRSH/DSHP-të sipas një plani të përgatitur nga ISHP dhe më pas shpërndahet në qendrat shëndetësore dhe aplikohet falas për të gjithë personat, kryesisht si më poshtë:
– Persona të moshuar mbi 60 vjeç;
– Persona që vuajnë nga sëmundje kardiovaskulare;
– Persona që vuajnë nga diabeti;
– Persona që vuajnë nga sëmundje obstruktive të aparatit respirator;
– Persona që vuajnë nga astma bronkiale;
– Persona me sëmundje kronike të veshkave, apo sëmundje kronike të tjera (hepatike etj.);
– Persona me sëmundje tumorale;
– Persona obezë;
– Gra shtatzëna;
– Personel shëndetësor.
– ISHP rekomandon vaksinimin gjatë të gjithë këtij sezoni të gripit, për të mbrojtur çdo person nga gripi dhe për të parandaluar format e rënda të gripit sidomos tek personat e sipërpërmendur.