GRUAJA E BURRIT TIM… ( Nga Agim Xhafka)

0
93
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nuk di pse mbrëmë m’u kujtua Niqka,Elpiniqi,që ishte shoqe e gjyshes sime Frosës dhe banonte dy dyer më lart se ajo te sokaku para Bankës. Shpesh të dyja më dukeshin si motra,tamam tamam si binjake. Ashtu të imta,veshur me të zeza,me shami në kokë e një tufë flokësh u dukej mbrapa si bishti i një miu as të madh,as të vogël.
Gjyshja rrinte në të zeza edhe pa vdekur gjyshi. Nuk e di pse. Eliniqit mendoja se do i kishte ndérruar jetë burri andaj. Por kur e pyeta më tha:
-E kam burrin gjallë,xhan. E kam në Amerikë.
Niqka kishte një djalë student,për inxhinieri. Gjithë vitin mbetej vetëm,por nuk e linte gjyshja. E ftonte cdo ditë dhe darkave,mbi mangallin me prush,nisnin e llafosnin. Kryesisht për burrat. Imja rrëfente se Jorgji i saj ishte punëtor i madh,por i prapë. I bértiste gjyshes,siç thosh ajo,kohë e pa kohë. Por zoti ia ndreqi qejfin. E goditi me hemoragji në tru. E la gjallë,ama ia mori gojën. Asnjë tingull nuk nxirrte dot. Derisa vdiq ai gjyshja e komandonte. U bë dhe grua,dhe burrë. Mburrej me këto dy role,por Niqka ia priste shkurt.
-Kam një jetë të tërë që jam burrë dhe grua. Rrita vetë Llambin dhe po e bëj inxhinier.
Nga ato muzgje dimri mësova se Niqka kishte ndenjur veç tre muaj me burrin,Nesti e quanin. Pastaj kishin shkuar bashkë deri te Lëndina e Lotëve e aty pasi u përqafuan uruan të shiheshin sa më parë. Iku Nesti drejt Selanikut e pastaj me avullore arriti në Boston. Këmbenin letra dhe Nesti niste ca dollarë në fillim e më pas më shumë. Pas ca muajsh dérgoi plot dhurata se lindi Llambi. Dérgoi dhe foto te berberana e tij. I lumtur sa më s’ka. Koha ua gérryente zemrat të dyve. Ai bëhej gati të vinte e diku i delte një punë,diku një pengesë deri sa u çlirua vendi dhe Amerika u quajt armike. Ca kohë as letra,as lekë. Nisi Niqka punë te fabrika e konservimit. Me turne dhe me normë. Por nuk lodhej se donte ta rriste sa më mirë Llambin.
Deri sa një ditë i vjen me postë një telegram. “Javën që vjen martohem,por mendjen e kam te ty dhe tek Llambi.” I shkruante i shoqi. Gjithë farefisi u egërsua. Jepi dhe ti duart,i thanë. Por Niqka nuk pranoi. E quajti normale. Sa të bredhë me zuska më mirë me grua në shtëpi,ka dinjitet e nuk bëhet zarbë,siç i thonë korçarët njerëzve pa vlera. U mblodh brenda vetes dhe shtrëngoi më shumë çunin. Vazhdoi punën,por Nesti nisi sérish të dérgojë letra e dollarë. Qeveria lejoi,por ua kthente në lekë me një kurs katér herë më poshtë se vlera. Niqka e lexonte shpesh atë telegram,atë të dasmës. Dhe mendonte se si dukej dhëndër burri i saj. Për çudi i dilte i pashëm dhe jo aq i qeshur. Eh,e ka mendjen tek ne andaj,e justifikonte.
Pas ca vitesh iu afruan disa për martesë. I sikterisi me inat. Jam grua e martuar. As e ve ,as e divorcuar. Kur një ditë po binte porta e madhe u nis me përtesë. Kishte ndjesi se po i vinte ndonjë kandidat pér burrë. Por qe postieri,telegram. “U bëra me djalë. E quajta Xhorxh si emri Jorgji i babait.”
U trazua në atë çast,por kur mendoi Llambin u gëzua. U bë me vëlla,se gjithnjë i kërkonte të mos ishte vetëm. Ia tregoi se tashmë ai qe rritur. U gëzua dhe mendoi se do vinin ta takonin sa më shpejt.
Vitet që erdhën sollën plot foto të Xhorxhit dhe Niqka i vuri atje ku ishin të vetat e të Llambit. Në ca korniza të vogla. Në mes kishte foton e madhe të saj me Nestin ditën e dasmës. I shihte herë pas here dhe i thoshte gjyshes sime,m’u mbush shtëpia. Kur djalin e çonte në shkollë fliste me Xhorxhin. E pyeste për të atin dhe Amerikën. Por edhe për mamanë.
-Pse nuk i kérkon Nestit një foto të gruas së tij?- e pyeti gjyshja.-Apo do jetë ndonjë e shpifur.
-Jo,nuk merr të tilla Nesti. Ka shijë. Ja më shikon mua!
Por në një letér ia kérkoi një pamje të nuses. Dhe pas dy muajsh mbérriti. Qe një bardhoshe e gjatë,me flokë të verdha,dhëmbë rruaza dhe shumë e qeshur. Kur ia tregoi gjyshes i shkëlqenin sytë.
-Eshtë burrë me dy rr Nesti. Nuk më turpéronte mua!
E vuri pranë fotove të tjera dhe shtëpia iu duk më e bukur.
Më pas Llambi iku në universitet,Nesti dérgonte para,por letra më pak. Niqka fliste me fotot.
Pasi më vdiq gjyshja nuk kisha lajme mbi Niqkën. Kur pas shumë vitesh kalova rastësisht te ajo rrugicë mësova se Niqka e kishte ndjekur shpej gjyshen time. Iu duk sikur i iku dhe shoqja në kurbet. Por nuk duroi këtë dhimbje se qysh nga mungesa e burrit gjyshen e pati për ndihmë e këshilla. Llambi iku te i ati në Amerikë dhe i rrëfen kujtdo respektin e nënës së tij pér gruan e burrit.
Elpiniqi u martua me shkesi. Por i qëlloi nga ato lidhje që kthehen në dashuri që në natën e parë. E jetoi tre muaj,si një kafe ekspres plot shije,por kafe të shkurtër. Dhe iu kushtua frutit të dashurisë duke mënjanuar mëritë,inatet dhe ambiciet. Fali çdo gjë të falshme dhe pérligji martesën e burrit si një rrugë të ndershme në një kohë të çmendur. Nuk i iku jeta shpirtërore e palumtur. Ishte plot me burrin larg ama thellë në zemér,me djalin pranë dhe me familjen e re të burrit në gji. Sakrifikoi aq sa i caktoi jeta. Dhe ajo nuk u grind për këtë,e jetoi kohën siç erdhi. Niqkë,nuk të harroj,o kurban i trazirave globale…

Zjarr Tv Ad