Gruaja e martuar dhe me dy fëmijë sulmohet nga i riu: Më kërkon lidhje

0
1007
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Për tetë muaj me radhë, një 23-vjeçar është kthyer në makthin e një gruaje të martuar në Tiranë, duke iu qepur këmba-këmbës me kërkesën për një lidhje intime. E ndierë e frikësuar nga i riu, që ishte fqinj i saj, gruaja, nënë e dy fëmijëve të mitur, e ka kallëzuar atë në polici.

Kallëzimi i saj ka rënë në “vesh të shurdhër”, ndërkohë që “tmerri” i gruas nga fqinji, që i shkonte te vendi i saj i punës, e ndiqte në rrugë, apo i thyente xhamat e dritares vijonte.

Janë dashur të paktën pesë kallëzime të njëpasnjëshme të të dëmtuarës K. A. në Policinë e Tiranës, si dhe një kallëzim i vetë babait të 23-vjeçarit të quajtur Alban Hadëri, që ai të arrestohej dhe të vendosej para përgjegjësisë penale.

Gjykata e Tiranës ka përfunduar pak ditë më parë gjykimin ndaj tij për akuzën e “përndjekjes”. Ai u deklarua i fajshëm dhe u dënua me 1 vit heqje lirie.

Seria e kallëzimeve

Referuar vendimit të shpallur nga gjyqtari Erjon Bani, kallëzimi i parë i të dëmtuarës është regjistruar më 19 maj 2016. Ajo ka rrëfyer se punonte si shitëse dhe se gjatë orarit të punës dy fëmijët e mitur i kanë rrëfyer se fqinji i tyre, Alban Hadëri, u kishte thyer një xham të dritares.

“Ndihem e kërcënuar për vete dhe familjen”, ka thënë ajo, duke shtuar se 23-vjeçari ato ditë e kishte kanosur me fjalë të ndryshme dhe e kishte shtyrë. Po ashtu, ajo ka sqaruar se i kallëzuari vuante nga probleme mendore dhe se për veprimet e tij kishte vënë në dijeni edhe të atin e tij.

Më 13 qershor 2016, ajo ka kallëzuar të njëjtën gjë. Faktet janë konfirmuar dhe nga babai i të pandehurit, K. Hadëri, i cili ka thënë se ishte në dijeni të kallëzimit dhe se dy herë të tjera djali i tij i kishte thyer xhamat të dëmtuarës… Pas disa kallëzimesh të tjera, në kallëzimin e datës 22 korrik ajo ka thënë:

“Unë jam drejtuar mbi pesë herë në polici dhe hera fundit ka qenë para një muaji dhe se në Prokurori para dy muajve jam thirrur, por në të tëra rastet unë s’po marr zgjidhje dhe jam nën një terror psikologjik nga ky person, Alban Hadëri. Jam në terror për jetën dhe kërkoj ndërhyrje urgjente dhe ndihmë nga shteti”.

“Kërkon lidhje intime”

Në kallëzimin e 22 korrikut 2016, e dëmtuara K. A., ka rrëfyer para oficerëve të policisë se 23-vjeçari e përndjek për lidhje intime.

“Kallëzoj se kam kërcënime me jetë dhe përndjekje në çdo ditë të jetës sime nga shtetasi Alban Hadëri. Prej 8 muajsh e në vazhdim, ky person më ndjek nga pas dhe kërkon me çdo kusht që unë të krijoj lidhje intime me të. Unë jam munduar ta sqaroj dhe t’i bëj me dije se jam grua e martuar, kam dy fëmije të mitur dhe të më lërë të qetë, por person sërish nuk bindet. Unë jam drejtuar disa herë në polici, ku dhe kam depozituar kallëzim penal ndaj këtij shtetasi. Ai nuk merr vesh, dhe për faktin se ka probleme psikike me veten e tij”, citohej kallëzimi në vendimin e gjykatës, shkruan ‘Panorama’.

Më tej, ajo ka pohuar se atë ditë i pandehuri i ka shkuar te vendi i saj i punës.

“Unë nuk e kam takuar dhe i jam fshehur, pasi ai më ka sulmuar dhe shtëpinë me një tullë para disa kohësh”, vijohej në kallëzim. Sipas vendimit të Gjykatës, i pandehuri qëndron në masën e sigurisë “arrest në burg” që prej 24 korrikut 2016.

Zjarr Tv Ad