Komisioni i Rithemelimit të PD ka ngritur sot një Komision për organizimin dhe drejtimin e procesit të referendumit të shkarkimit të Lulzim Bashës. Kryetare e këtij Komisioni do të jetë Albana Vokshi, kurse anëtarë do të jenë Ervin Minarolli, Enno Bozdo, Edith Harxhi dhe Keltis Kruja.
Këtij Komisioni i është ngarkuar detyra për të organizuar, mbikëqyrur dhe drejtuar referendumin që do të mbahet nesër deri në shpalljen e rezultateve. Referendumi do të mbahet në të gjitha degët e PD në vend dhe do të votohet shkarkimi i Lulzim Bashës, sipas vendimit të marrë në Kuvendine 11 dhjetorit.
Situata në disa degë të PD
Dega Krujë ka rreth 700 anëtarë, do të votojnë në dy qendra votimi, një në Thumanë dhe një në Krujë, ndërsa sipas drejtuesve të kësaj partie, pritet që në votim të marrin pjese rreth 50 % e anëtarëve. Në Fushë-Krujë, votimi pritet të zhvillohet në një pikë të vetme, te qendra shëndetësore, ku është dhe zyra e partisë. Në Krujë e Thumanë votohet në lokale, ambiente të marra me qira. Materialet kanë shkuar në të dyja degët e PD. Ndërkohë, në bashkinë e Korçës ka një qendër votimi, që do të jetë te ish-kinema Millenium. Edhe në Pogradec do të jetë po një qendër votimi, te kinemaja e qytetit. Në Korçë janë 3500 anëtarë, në Pustec 3600, ndërsa në Pogradec janë 900 anëtarë.
Në Gjirokastër janë gjithsej 1100 anëtarë të PD me të drejtë vote dhe janë ngritur 4 qendra votimi. Në Gjirokastër qendra e votimit do të jetë në Pallatin e Sportit, në Lazarat do të jetë në një lokal në qendër të fshatit, në Libohovë në një lokal në qendër të qytetit dhe në Urën e Kardhiqit do të votohet te ish-zyra elektorale e PD. Baza materiale për referendumin nuk ka mbërritur ende në degët e PD. Po ashtu, baza materiale nuk ka shkuar as në Elbasan, ku votimi është thënë se do të kryhet brenda ambienteve të degës së partisë demokratike në këtë qytet, por ende dyert e kësaj dege qëndrojnë të mbyllura pasi një ditë më parë u ndërruan bravat.