Grupi parlamentar i PD-së dorëzon në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shfuqizimin e bordit për çmimet e produkteve ushqimore

0
51
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Deputetët e Partisë Demokratike, Dashnor Sula dhe Bledion Nallbati, kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për shfuqizimin e Bordit të përcaktimit të çmimit të produkteve ushqimore. Në dalje nga Gjykata Kushtetuese, Sula tha se bordi është i paligjshëm pasi ka rritur çmimet e ushqimeve gati dyfish më shumë duke i vështirësuar jetesën qytetarëve.

“Sapo dorëzuam kërkesën për shfuqizimin e aktit normativ të qeverisë për bordin për çmimet e ushqimeve. Qeveria i ka kthyer në ditë dimri të gjitha ditët e verës për qytetarët shqiptarë. Kanë paguar çmime të larta për të gjitha produktet ushqimore. Paketat e ndihmës së qeverisë ishin tërësisht të pamjaftueshme. Unë bashkë me kolegët e PD kemi bërë përllogaritje dhe del që është 76.7% rritja e produkteve të shportës. Gati dyfishim.

Paketa që jep kjo qeveri janë vetëm thërrime. Kjo është për të ardhur keq dhe gjej momentin t’i bëj thirrje Gjykatës Kushtetuese që të marrë me procedurë të përshpejtuar këtë kërkesë. Ky bord është abuziv dhe nuk përfaqëson interesat e qytetarëve të shqiptarëve. Është një bord që përbëhet nga qeveria dhe grosistët, zero përfaqësim të qytetarëve shqiptarë. Është thjeshtë propagandë. I kërkojmë ndjesë qytetarëve për vonesën”, tha ai.

Kujtojmë se kjo është kërkesa e dytë e grupit parlamentar në Gjykatën Kushtetuese brenda pak ditësh, ku vetëm pak ditë më parë depozituan një tjetër kërkesë për shfuqizimin e Bordit të Transparencës për Karburantet.

Zjarr Tv Ad