Deputetja e PD dhe njëherësh kryetarja e komisionit parlamentar për integrimin europian Jorida Tabaku e ka komentuar Samitin e BE në Tiranë si një ngjarje të mirë për Shqipërinë, dhe si një perspektivë e re për vendin tonë në procesin e integrimit.
E ftuar në ABC Live, Tabaku u shpreh se “samiti i BE ishte një ngjarje e mirë për Shqipërinë, nuk ka rëndësi për politikë, kur bëhet fjalë e mirë për Shqipërinë, e vendos Shqipërinë në një perspektivë tjetër në procesin e integrimit. Tregon që integrimi është afër, jo për meritë të klasës politike”.
Duke komentuar situatën e grupimeve brenda PD, Tabaku u shpreh që nuk është pjesë e asnjë grupimi, por është anëtare e PD.
“Unë ndoshta nga shumë të tjerë, e kam përjetuar në një mënyrë shumë emocionale ndarjen brenda PD, jam që fëmijë në PD, sigurisht që nuk më erdhi mirë, dhe shpresoj të jetë një mesazh për të gjithë, që nuk jemi në ditën më të mirë.
Shpresoj që të shërbejë si një sinjal për të përmirësuar gjërat në PD, nuk e japim dot këtë frymë dhe këtë standart. Janë në dy shtëpi”, u shpreh Tabaku.
Për deputeten e PD ‘PD duhet të jetë jo vetëm bashkë, por më shumë se bashkë, vetëm kështu do të ishte një forcë fituese’.