Nga data 17 janar 2022 do të hidhen në treg kartëmonedhat e reja 500 dhe 2000 lekë. Lajmi është konfirmua sot nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë Genc Sejko. Ai u shpreh se rritja e vazhdueshme e çmimeve rrezikon rritjen e inflacionit në vend.
Sejko tha se çmimet në rritje do të jenë deri të paktën në pjesën e dytë të vitit të ri, ndërsa më pas do të pësojnë reduktime. Kursi i këmbimit sipas tij ka pasur luhatje të dy kahshme, ndërsa shtoi se 2 vitet e fundit kanë qenë sfiduese për ekonominë, ndikuar nga prezenca e pandemisë në vend.
“Njëkohësisht, vlen të theksohet se në vitin 2021, kemi prodhuar edhe 2 kartëmonedhat e fundit të serisë, ato me prerje 500 dhe 2000 Lekë, të cilat pritet të hidhen në qarkullim në ditët në vijim, duke realizuar përfundimisht kompletimin e serisë sonë të re të kartëmonedhave, të përbërë nga 6 prerje.
Duke filluar nga data 17 janar 2022, kartëmonedhat e reja do të jenë në duart e publikut dhe do të qarkullojnë paralelisht me kartëmonedhat e serisë aktuale. Ato janë dizajnuar dhe prodhuar me teknologjinë më të fundit të fushës dhe janë të pajisura me elemente bashkëkohore dhe të sofistikuara sigurie”, u shpreh Sejko.