“Qeveria Kurti është më e keqja në historinë e Kosovës”. Kështu e ka cilësuar Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj duke e akuzuar ndër të tjera qeverinë edhe si fajtore kryesore për krizën energjitike. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka thënë se Qeveria Kurti është me e keqja në historinë e Kosovës.
Gjatë seancës plenare, ai tha se ekzekutivi ka qenë vetë shkatërruese në sektorin e energjisë dhe po dështon në politikën e jashtme duke mos ditur të udhëheqi në çështjen e sigurisë.
“Çka i ka ndodhur Kosovës, e ka fituar qeverinë më të keqe ndonjëherë. Pra më të keqen ndonjëherë në historinë e vet. Një qeveri që është e paaftë në politikë të jashtme, pra ka vetëm dështime në politikë të jashtme. Qeveria e parë që ka mbërri me krijuar mosbesim të skajshme me ShBA-në, kjo është qeveria e parë që ka mbërri me dorëzuar Kosovën në duart e disa zyrtarëve evropian në çështjen më të ndejshëm të veten, pra përballje me Serbinë. Një qeveri e cila nuk ka ditur të udhëhequr në çështje të sigurisë. Një qeveri e cila pas dy dekadave të progresit në veri ka mbërri me zbeh skajshëm. Po ashtu edhe një qeveri e cila ka qenë vetë shkatërruese sa i përket energjisë në Kosovë, e cila ka pengu me çdo mjet dhe mënyrë investimet në energji”, tha ai.
Edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i ka kërkuar Qeverisë Kurti të shpallë gjendje emergjente energjetike duke bërë përgjegjës kryesor qeverinë. Ndërkohë, sa i përket masave kufiziuese nga pandemia,Deputeti opozitar, i bëri thirrje qeverisë që ta largojnë orën policore për shkak të ardhjes së diasporës.
“Së fundmi edhe diasporën tanë po e dënon në mënyrën më të keqe, me pritje me orë të tëra në kufi, por jo vetëm kaq, kjo qeveri po banë fuqi orën policore. Nëse janë dy javë të mërgimtarëve në Kosovë, po i bien se ata rrinë 1 javë e gjysmë në Kosovë. E lus ministrin e shëndetësisë t’i tregon kryeministrit të vendit që ora policore nuk rekomandohet në asnjë vend të botës në pandemi”.-tha ai.