Ditën e sotme, është hapur tuneli numër 5 në nyjën “Shqiponja”. Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, teksa pa nga afër punimet deklaroi se po shkohet drejt përfundimit të punimeve të këtij projekti që sipas saj, i jep Kryeqytetit një hyrje të denjë duke lehtësuar trafikun nga Durrësi drejt Astirit.
“Ndodhemi në nyjën e Shqiponjës. Ne e shikojmë hyrjen e katër tuneleve që kemi përballë nesh. Sot hapet tuneli numër 5. Pamja këtu është me të vërtetë mbreslënëse me katër hyrjet e tuneleve të përfunduar tashmë.
Duhet theksuar që rrjedha e trafikut që do kemi sot do jetë ajo që do qëndrojë gjithë kohës. U kërkojmë qytetarëve të jenë të kujdesshëm edhe për të zgjedhur hyrjet në tunele. Tuneli që hapet sot lidh rrugën nga Durrësi për ata që duan të futen në Astir. Tuneli numër tre do shërbejë në krah të kundërt.
Hapim tashmë platformat mbi tunele për t’i dhënë akses hyrjes dhe daljes nga Tiranë në autostradën e Durrësit. Kemi pjesën e semaforëve që do ndalojnë trafikun. Kemi parashikuar edhe pjesë lulishte, sepse është një zonë e banuar që në të ardhmen do të zhvillohet. E kemi trajtuar si zonë urbane”, tha Balluku.