Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i ka dërguar një letër të hapur shefes së diplomacisë së BE, Federika Mogherini, ku shpreh pakënaqësinë e tij për mënyrën se si Përfaqësuesja e Lartë po menaxhon dialogun Kosovë-Serbi.
“Deklarata juaj publike lidhur me kufijtë, e kombinuar me ftohtësinë tuaj ndaj dëmeve të mëdha që i shkaktohen shoqërisë sonë nga veprimet e Serbisë kanë zvogëluar progresin dhe kanë çuar direkt në humbjen e momentumit në procesin e dialogut”.
Në mesazhin e tij, Haradinaj shprehet i bindur se zonja Mogherini është në dijeni të sulmeve të ashpra të Serbisë ndaj shtetit dhe institucioneve të Kosovës, por nuk ka marrë asnjë masë. Në këto kushte, shton ai, qeveria e Kosovës do të marrë vetë masa për të mbrojtur interesat e saj.
“Qeveria ime do të vazhdojë të veprojë sipas detyrave të caktuara nga Kushtetuta për të mbrojtur interesin e qytetarëve. Qëndrimi ynë lidhur me vënien e taksës është i njëjtë siç e kam thënë edhe në letrën e 15 dhjetorit”.
Ne letrën e tij, Haradinaj nënvizon se pavarësisht qëndrimit destruktiv të Beogradit, Prishtina nga ana e saj e ka përkrahur dhe vazhdon ta përkrahë dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli.