Ish-kryeministri dhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, është liruar sot nga gjykata e Kolmarit në Francë.
Haradinaj ishte arrestuar pas një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia në aeroportin e Basel-Mulhouse.
Sipas Serbisë, ndaj Haradinajt kishte akuza shtesë lidhur me luftën në Kosovë në vitin 1999, por gjykata e ka lënë të lirë në seancën e sotme. Ndaj kreut të AAK-së janë zhvilluar disa seanca deri në vendimin e sotëm.
Kërkesa e autoriteteve serbe për ekstradimin e ish-komandantit të UÇK-së për zonën e Dukagjinit, i akuzuar për krime lufte nga Prokuroria e Serbisë, nuk u pranua nga ana e gjykatës së Kolmarit.
Haradinaj, mbahej në Francë në liri me kusht që prej janarit, ndërsa seanca u mbajt në masa të larta sigurie dhe gjykata ishte rrethuar me forca të shumta policore.
Pas lirimit të ish-kryeministrit të Kosovës, qeveria serbe ka mbajtur një takim urgjent dhe mediat serbe kanë reaguar menjëherë. Në mediat online serbe, lajmi për lirimin e kreut të AAK-së është i pari.
Pas lirimit Haradinaj ka deklaruar se kjo është një fitore e gjithë shqiptarëve.
Procedura u mbyll, është refuzuar kërkesa për ekstradim dhe që nga ky moment jam i lirë për t’u kthyer. Do shkoj të marrë pasaportën në Strasburg. Shpresoj që sot të mbërrij në Kosovë. Janë humbur 4 muaj , koha është e çmueshme. Shqiptarët kanë fituar në këtë përballje. Faleminderit ju që jeni këtu. Faleminderit të gjithëve që më keni përkrahur.”
Ne 2015-ën, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ishte arrestuar edhe në Slloveni, arrestim ky i bazuar po në fletë arrestin e Interpolit, lëshuar nga policia e Serbisë në vitin 2006.
Haradinaj, asokohe po udhëtonte tranzit drejt Kosovës, nga Gjermania dhe u ndalua në aeroportin e Lubjanës.