Haradinaj: Shpresojmë që dialogu ta sjellë njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kufijtë ekzistues

0
1

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, është i vendosur në atë që Kosova me Serbinë duhet të diskutojë vetëm një çështje. Atë të një  marrëveshje për njohje reciproke në kufijtë ekzistues.

Këtë qëndrim ai e ka përsëritur sot gjatë një takimi që ka pasur me disa studentë të programit Akademia Verore, që vijnë nga 28 shtete të ndryshme të botës.

Kreu i Qeverisë ka thënë se është shumë e nevojshme që bota ta njeh se kush është Kosova, dhe të njeh realitetin.

“Kosova është një komb i ri dhe jemi shtet i pavarur që 11 vite. Jemi shtet multientik, dhe po ky është shteti ynë dhe ne ndajmë besimin në vlerat e përbashkëta europiane. Kemi shumë sfida si një komb i ri dhe shoqëri dhe sfida kryesore për ne ishte ekonomia e shkatërruar gjatë luftës 20 vjet më parë, dhe për shkak të saj ka ende mungesë të vendeve të punës për rininë tonë”, ka thënë kryeministri Haradinaj, duke thënë se sundimi i ligjit ka përmirësuar dhe është duke e përmirësuar luftimin e korrupsionit.

Në fjalën e tij para studentëve, kryeministri Haradinaj deklaroi se është sfidë për Kosovën themelimi i besimit brenda komuniteteve, por theksoi se është bërë progres në këtë drejtim por ende duhet punë për t’u bërë.

“Po ashtu presim edhe një marrëveshje më Serbinë për njohjen reciproke në kufijtë ekzistues dhe shpresojmë se dialogu do ta sjellë këtë dhe se përmes kësaj do të mund të bashkoheshim më BE-në, NATO-n, në një botë ku rreshtohemi me parimet që drejtohen nga SHBA-ja dhe të gjithë aleatët tanë që na kanë ndihmuar”, ka potencuar kryeministri Ramush Haradinaj.