Haradinaj: Të rënët për liri, janë vlera e vetme sublime e jona

0
21
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj mori pjesë në Akademinë Përkujtimore me rastin e Ditës së Veteranëve të Koshares dhe rënies së Heroit të Kosovës, Sali Çekaj, në kuadër të Manifestimit Tradicional “Ditët e Shqipes 2019”, që organizohet nën patronatin e Kryeministrit.

Kryeministri Haradinaj, gjatë fjalës së tij në këtë akademi përshkroi dimensionet e “Epopesë së Koshares”, të Heroit Sali Çekaj, duke thënë se rëndësia e fillimit të luftës, të “Epopesë së Koshares”, ka qenë e madhe, historike, me dimensione të mëdha, duke hyrë në ato momentet më vendimtare në rrugën deri në liri.

Në këtë akademi, nga një fjalë rasti mbajtën edhe Agron Isufi, në emër të “Brigadës 138 Agim Ramadani” dhe në emër të familjarëve të dëshmorëve dhe të familjes së Heroit të Kosovës, Sali Çekaj, djali i Heroit, Hysen Çekaj.

 Fjala e plotë e kryeministrit Ramush Haradinaj:

Kemi folur në disa raste për epopenë, sepse bëhet fjalë për shumë orë e shumë ditë luftë të vazhdueshme në Koshare dhe i kemi përshkruar pak dimensionet aq sa mbërrijmë në një akademi të kësaj epopeje.

Kurrë nuk është tepër të thuhet se fillimi i luftës frontale me 9 prill, ka qenë kthesë shumë e madhe. Përpos kthesës që bëri lufta në momentet e veta, kjo ishte një porosi e qartë se kah do të shkojë lufta. Pra, rëndësia e fillimit të luftës, të “Epopesë së Koshares”, është e madhe, është historike dhe ka dimensione të mëdha, ndoshta, ndoshta hyn në ato momentet më vendimtare në rrugën tonë deri në liri.

Ka plot momente të tjera që këtë epope e bëjnë më të veçantë, madhështore, që i japin dimensione vërtetë të respektueshme edhe të luftës, por edhe të vlerave tjera, janë bashkëluftëtarë nga të gjitha trojet e atdheut tonë. Ka edhe të huaj, pra edhe të kombeve tjera, të cilët i falënderojmë për nderin që na kanë bërë.

Por, në mes tjerash, është edhe dita e sotme, është vet veterani, është vet Heroi Sali Çekaj, i cili e bën të veçantë “Epopenë e Koshares”. Pse e bën të veçantë?

E para, mos harroni! Që i ri, si një i edukuar, si njeri intelektual, në lëminë e vet të veprimi, ai e filloi luftën, e filloi luftën me dijen, me pikëpamjet e tij intelektuale. Me veprimin direkt në zonën tonë atje në Dukagjin, në rajonin tonë, flitet edhe sot e kësaj dite, për statutin e parë të një komune në vete kundër pushtetit të Serbisë, pra, për statutin e Komunës së Deçanit, i hartuar prej një juristi, atdhetar, së bashku me kolegë të tjerë. Pra, është heroi ynë, ai që e kujtojmë sot e për mot, Sali Çekaj.

Mos e harroni! Edhe pse në rrethana të një pushtimi të egër, ai bëri shumë, në mënyrë që të lidhë njerëz për rrugën drejt lirisë.

Nuk ka qenë lehtë të lidhen njerëzit, nuk ka qenë lehtë të kuptohet në atë kohë, nuk të kanë besuar njerëzit ose edhe të kanë keqkuptuar. Sepse, të biesh nëpër një pushtim të egër dhe të mundohesh të bashkosh njerëz, në ato rrethana, ka qenë proces i vështirë.

I ka kaluar të gjitha ato sfida, duke e ruajtur nderin e vet, nderin e një shqiptari atdhetar. I kaloi në atdhe, në mërgim, në Shqipëri, por i ka kaluar edhe në vendluftim, duke qenë një njeri i çmuar e respektuar prej bashkëluftëtarëve të vet.

Cilado adresë politike e shqiptarëve, që e ka ftuar një luftëtar të vijë në luftë, ka bërë mirë. Por ne në luftë kemi qenë veç luftëtarë shqiptarë, nuk kemi qenë luftëtarë të cilësdo adresë politike ciladoqoftë ajo, sado e respektuar. Kushdo që e ka ftuar luftëtarin shqiptar që të vijë në luftë, edhe ai që e ka ftuar vetveten nuk ka qenë luftëtarë i adresave politike sepse ai që ka ndodhur në vijën e frontit para armikut nuk ka pasur adresë politike që e arsyeton atë sakrificë. Është vetëm një arsyetim, argumentin, është vetëm një e vërtetë, është atdheu yt, është populli yt, është e drejta që të jetohet i lirë në tokën tënde, e drejta e shqiptarit. Pra të mos e harrojmë këtë asnjëherë, nuk ka lidhje që ka diskutime e debate dhe kanë për t’u bërë diskutime e debate, kushdo prej nesh në organizimet politike, në cilëndo etapë të rrugëtimit tonë ka pasur të drejtë, ka të drejtë dhe mirë ka bërë që ka ndihmuar në rrugën tonë deri në liri. Por në momentin që luftëtari shqiptar ka ndodhur në vijën e frontit më nuk ka qenë i adresave politike, por ka qenë vetëm i atdheut dhe i kombit ashtu si sot që ushtari ynë, i Kosovës, rreshti i ushtarit tonë nuk është i adresave politike i cilësdo qoftë por është vetëm i atdheut dhe ashtu do të mbetet, ashtu duhet ta ruajmë, ashtu duhet ta nderojmë. Ju siguroj se kemi marrë shumë mësime rrugës tonë, jo vetëm deri në liri por edhe deri në shtet. Ju siguroj që I dimë të gjitha momentet e jetës tonë dhe e dimë se si t’i udhëzojmë brezat që vijnë pas nesh që ta kenë rrugën më të lehtë të forcimit të lirisë e forcimit të së drejtës sonë si shqiptarë.

Ju siguroj se një shembull i mirë ka për t’i bindur breza e breza pas neve e do të jetë vetë Heroi i kombit pra veterani Sali Çekaj. Të gjitha dimensionet e veprës së tij, përmasat e kësaj vepre janë shembull i mirë për atdhetarë të ardhshëm. Janë shembull i mirë duke pasur parasysh kohën në të cilën kemi vepruar. Një kohë më e vështira dhe më e paqarta e mundur. Kohë e vlimeve politike por edhe e vlimeve ushtarake. Nuk është koincidencë se ai që e ka shkruar statutin e komunës parë në veti kundër pushtetit serb është po ashtu me të parët që ka shkuar për t’u aftësuar ushtarakisht dhe me heronjtë më të çmuar sot të kombit tonë, Adem Jashari, Zahir Pajazitin e të tjerë, pra nuk është rastësi, i bën nder kombit tonë, i bën nder liridashësve që të nxirret në dritë gjithë vlera jonë për liri. Të respektohet edhe të mbrohet. Nuk është në rregull që po i thirret debateve të ditës ose të periudhave të caktuara kohore historike. Të marrim nga këta, të marrim nga dëshmorët. Duhet ta kemi një kujdes, e vetmja mënyrë që nipa e mbesa, jo veç të heronjve por edhe të neve të tjerëve të gjallë, mos ta kem fatin e tyre është duke i lënë ata të nxënë vendin e merituar në historinë tonë. Duke i lejuar ata me qenë ndryshe nga ne, më të vlefshmit dhe vlera e vetme sublime e jona. Duke mos u përzier me ta. Ajo është vlerë e veçantë, ai që ka rënë për liri është vlerë e veçantë, ai duhet të nxë vend dhe nuk duhet t’i lëshojë vend askujt tjetër në të ardhmen. Pra debatet e ditës nganjëherë mund të shkojnë aq larg sa ta lëkundin vendin e tyre por atëherë fëmija ynë do të duhet prapë të bie për liri por për këtë liri të fituar sot do të ishte e pafalshme sepse do të ishte e pashpjegueshme para brezave. Të gjithë ne, duhet t’i marrim mësimet për hir të atyre që vijnë, t’i nderojmë pa asnjë rezervë të rënët për liri.

Unë i falënderoj të gjithë ata që e lartësojnë veprën e dëshmorëve, patriotëve, që bëjnë kujdes për familjarët, vlerat në përgjithësi por të mos harrojmë se çfarëdo që bëjmë, ne jemi të vegjël para atyre që janë flijuar për atdhe.

Shpreh respektin më të madh për Heroin, veteranin Sali Çekaj dhe të gjithë ata që kanë rënë për lirinë e atdheut!

 

Zjarr Tv Ad