Haradinaj tregon si ranë dëshmorë ish-bashkëluftëtarët e tij në Gllogjan

0
19
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Në 20-vjetorin e rënies sot në Gllogjan janë përkujtuar dëshmorët e kombit Shkëlzen Haradinaj, Fatmir Nimanaj, Hasim Halilaj, Luan Nimanaj dhe invalidi i UÇK-së, Enver Haradinaj, nga ku është thënë se djemtë më të zot ranë për të mbrojtur popullatën civile nga ushtria paramilitare serbe.

Homazhe dhe nderime ka bërë kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i cili ka kujtuar ngjarjen e ndodhur 20 vjet më parë. Ai tha se kjo ka qenë një ditë e vështirë, pasi ishte një përpjekje e madhe për të shpëtuar jetë.

Ai tha se forcat serbe kishin kaluar në gjah ndaj civilëve, ku një pjesë e familjeve ishin strehuar në një zonë të quajtur “Lugu i Duboçakës”.

Haradinaj që kishte qenë komandant i Zonës Operative të Dukagjinit, tha se nuk kishin pas pozicione lufte atje, por që kur e kanë marrë lajmin se forcat serbe kishin mësy në drejtim të Duboçakës, nuk kanë mund të mos veprojnë.

“Nuk i kam caktuar dikujt detyrë, por i kam pyetur a ka ndokush që mund të shkojë për t’i dalë përpara forcave serbe që të mos i lejojnë me mbërri tek ato familje, tek ata civilë, fëmijë, gra, që ishin strehuar në atë zonë të Kosovës. Shkëlzeni tha po shkoj unë dhe menjëherë pas tij, janë lajmëruar ata që i ka pasur më afër çdo herë gjatë jetës së tij në luftë, pra, Fatmiri, Hasimi, Luani dhe djem të tjerë. Kësisoj, në përballje, për të mos i lejuar forcat serbe për të arritur te civilët shqiptarë të pambrojtur, në pozicione lufte, që kanë qenë të papërgatitura paraprakisht, të pastudiuara, pa asnjë plan, por vetëm të mos lejohet që të shkojnë te civilët, kanë rënë heroikisht njerëzit më të shquar të UÇK-së, të cilët nuk kanë rënë në betejat tjera frontale, sepse në ato beteja ne i kemi prirë luftës, e kemi ditur si bëhet lufta, ndërsa këtu nuk kemi pasur kohë as të përgatitet ndonjë plan, por vetëm jemi detyruar në urgjencë, për shkak të civilëve, të dalim përpara”, tha ai.

Haradinaj tha se luftëtarët më të zot janë vrarë, pasi janë detyruar të dalin pa pozicion lufte, përballë forcave serbe, që të mos i lejojnë të arrijnë te civilët shqiptarë. E sipas tij këtu janë dy porosi që dalin prej kësaj dhe që duhet t’i kuptojnë të gjithë.

“E para është se UÇK-ja me kapacitete të limituara, por nuk e ka kursyer veten, nuk ka vepruar vetëm në bazë të planeve të luftës, por është detyruar të veprojë dhe të mbrojë civilë të pambrojtur. Do të ishte shumë më lehtë për Shkëlzenin, për Luanin, për Fatmirin, Hasimin e shumë të tjerë, vetëm të zgjedhin një betejë me forcat serbe, këta me zgjedh ku me u përballë me ata, dhe ju siguroj se ka pasur beteja deri atë ditë, por këta janë dalë fitues, e forcat serbe kanë humbur. E vetmja arsye pse këta kanë rënë heroikisht është se janë detyruar pa plan lufte, pa asnjë përgatitje paraprake, pa asnjë mundësi reale të luftojnë, janë detyruar të dalin në vetë betejë frontale dhe të luftojnë ballë për ballë, të luftojnë në afërsi, të harxhojnë municionin që kanë pasur me vete dhe të përdorin edhe thika dhe kësisoj kanë rënë”, tha ai.

Haradinaj nga vendlindja ka pasur edhe një porosi tjetër, duke thënë se askush nuk mund të mohoj krimet që janë bërë ndaj shqiptarëve.

“Porosia tjetër që duhet ta dimë si shqiptarë e si Kosovës, është se ata që mundohen të mohojnë krimet që janë bërë mbi shqiptarë, edhe pse ne shqiptarët jemi popull i respektuar, por nuk duhet askush ta teprojë me ne. Ata që mendojnë se mund ta mohojnë dhe të ofendojnë dhimbjet, luftën, plagët, por edhe krenarinë tonë, sepse askush nuk ka të drejtë ta ofendojë krenarinë tonë, sepse nuk është krenari e falur, por që vjen nga jetët e djemve dhe vajzave më të mirë të atdheut, atëherë nuk i bëjnë mirë vetës, rajonit dhe më tutje”, tha ai.

Kryeministri Haradinaj, gjithashtu në përkujtim të dëshmorëve të kombit Shkëlzen Haradinaj, Fatmir Nimanaj, Hasim Halilaj, Luan Nimanaj dhe invalidin e UÇK-së, Enver Haradinaj, ka bërë homazhe te shtatorja e Shkëlzen Haradinajt në Pejë.

 

Zjarr Tv Ad