Baton Haxhiu thotë se protesta si koncept është civilizim, por duhet të kuptohet qëllimi dhe arsyet pse dikush proteston.
Nëse nuk dihen këto arsye, protesta është primitive sipas Haxhiut dhe të tillë e cilëson edhe protestën kundër rritjes së çmimeve në Tiranë, e cila ka vijuar për shtatë ditë me radhë.
“Qytetarët në Tiranë bëjnë protestë primitive sepse nuk kanë qëllim dhe artikulim në atë që duan”, u shpreh ai në emisionin Shock në Euronews Albania.
Kjo protestë do të dështojë thotë ai, por pse dështojnë protestat në Tiranë, sipas tij?
“Shoqëria civile në Shqipëri është e dobët, nuk kemi institucione që artikulojnë me dokumenta problematikat e qeverisjes”, u shpreh Haxhiu.
Por Andi Bushati thotë se është cinike t’i thuash një njeriu që proteston se nuk mbulon dot jetesën minimale, “pse nuk sillesh si filozof?”.
“Uria jote është e pavlefshme nëse ti nuk ke një këndvështrim të gjerë për botën”, u shpreh Bushati.
“Një njeri që del e proteston ka një hall, ai nuk di si zgjidhet halli për do të bërtasë për hallin e tij”, shtoi ai.
Bushati theksoi se nëse dikush nuk di ta shpjegojë hallin që ka me argumente, nuk do të thotë se nuk ka të drejtë për të protestuar.