Heqja e kufijve, Shqipëria tërhiqet nga bisedimet me Kosovën

0
35
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Në mbledhjen e fundit të përbashkët të dy qeverive, Shqipëria dhe Kosova u zotuan jo vetëm për lehtësimin e procedurave të kalimit të shqiptarëve në dy anët e kufijve shtetërorë, por për heqjen fare të tyre. U tha se ishte arritur që në fillim të vitit të vendosej një pikë e përbashkët e kontrollit mes dy vendeve, si një hap i mirë drejt synimit final. Kjo jo vetëm që nuk është realizuar plotësisht deri më tani, por, thuajse tre muaj më vonë dhe në një kohë që Shqipëria ka rinisur bisedimet me Greqinë për çështjen e kufijve detarë, bisedimet me Kosovën për heqjen e pengesave në vijën kufitare mes dy vendeve kanë mbetur në ngërç.

“Qeveritë e dy vendeve kanë nënshkruar në fund të dhjetorit një marrëveshja e cila synon krijimin e pikave të përbashkëta dhe kontroll të përbashkët kufitar. Ka pasur një frymë bashkëpunimi për këtë për të zbatuar lehtësira që shmangin vonesat për qytetarët”, konfirmon për gazetën “Si”, Mentor Tahiri, shef i Kabinetit në Ministrinë e Brendshme të Kosovës.

Tahiri shpjegon se dy vendet kanë ngritur grupe punë për të përcaktuar hollësitë mbi aplikimin e mënyrave alternative të kontrollit, që do të shmangnin ndalesat e kontrollet fizike të automjeteve dhe udhëtarëve, sidomos në periudha fluksi.

“Megjithatë aktualisht ka një tërheqje nga grupi i punës i Shqipërisë dhe nuk ka një datë të saktë se kur do të vazhdojnë punimet e grupeve punuese”, shton ai.

Tahiri shton se deri më tani pala kosovare nuk ka marrë ende një shpjegim për arsyet e këtij vendimi nga ana e Tiranës zyrtare. Tërheqja bie ndesh me zotimin e Kryeministrit Haradinaj, të përforcuar edhe nga Edi Rama për zbatimin e kontrolleve alternative në ditët e para të muajit prill.

Propozimi i Haradinajt ishte vendosja e kamerave dhe pikave të tjera vëzhguese në vijën ndarëse mes dy vendeve dhe zbehjen e kontrollit fizik në të.

“E kemi biseduar me kryeministrin Edi Rama dhe me kolegë të tjerë, që diku në ndërrim të moteve të hapet kufiri përfundimisht. Do të ketë kamera, do të ketë një monitorim, por nuk do të ketë barrikadë fizike, jo prezencë fizike të kontrollit”, pati thënë Haradinaj, pak kohë para vitit të ri.

Kjo nuk ndodhi me ndërrimin e viteve, por kryeministri kosovar përsëriti se nga data 2 prill kjo do të ndodhte. Heqjen e kufirit e ka mbështetur edhe Edi Rama që në 2017. Në shtator të këtij viti ai shprehej ambicioz se kjo do të ndodhte nga 1 janari i 2018. Si shembull merrte kufijte mes vendeve anëtare të BE-së, ku kontrollet fizike janë thuajse inekzistente.

Në janar të 2018 kjo nuk ndodhi dhe kësaj teme, Rama iu rikthye me terma të tjerë në shtator të po atij viti.

“Do të kemi një kufi më fluid, do të ketë vetëm një ndalesë. Kjo që po bëjmë ne është ta kuptojnë edhe serbët se nuk e bëjmë veç me njëri-tjetrin dhe s’bëjmë dyfytyrësi. U kemi kërkuar të gjithëve heqjen e barrierave. Me Kosovën do t’i heqim të gjitha. Porti i Durrësit do të jetë edhe i Kosovës. Pastaj do të bëjmë hapat drejt bashkimin doganor”, deklaronte ai.

Sot, kontrolli kufitar nuk është hequr. Ajo që është realizuar është marrëveshja për heqjen e roaming-ut mes dy vendeve hapja e një sporteli doganor të Kosovës në Portin e Durrësit dhe bashkimi i pikës doganore në Morinë.

 

 

Zjarr Tv Ad