Kryeprokurori i ri i Përgjithshëm, Olsian Çela ka premtuar se shkelësit do të mbajnë përgjegjësi maksimale për pasojat e shkaktuara nag tërmeti 7 ballës i 26 nëntorit.
Një ditë pas marrjes së detyrës së kryeprokurorit të ri të Përgjithshëm, Olsian Çela e ka nisur punën ‘furishëm’ në Prokurorinë e Durrësit, ku edhe ka takuar drejtuesen e saj Anita Jellën.
Pas takimit, Çela dhe Jella të dy kanë dhënë një prononcim për mediat, duke dhënë detaje lidhur me procesin hetimor. Në fjalën e tij, Çela u shpreh se ishte shumë i kënaqur nga puna e prokurorëve dhe garantoi pavarësinë e tyre. Sipas tij, ka njerëz që kanë shkelur ligjin dhe do të mbajnë përgjegjësi qoftë edhe zyrtarët.
Ndërsa drejtuesja e Prokurorisë së Durrësit Anita Jella “premtoi” se brenda javës që vjen do të ketë qëndrime zyrtare lidhur me hetimet për ndërtesat e shembura nga tërmeti i 26 nëntorit. Gjithashtu ajo u shpreh se gjatë takimit të sotëm i kishte kërkuar kryeprokurorit të ri ekspertë ndërtimi për të ndihmuar prokurorët në hetim.
Ditën e djeshme gjatë ceremonisë së marrjes së detyrës,kreu i Prokurorisë së Përgjithshme premtoi hetime të thelluara për tërmetin, duke shtuar se do gjenden mekanizmat e duhur që të publikut t’i kthehet besimi tek drejtësia dhe prokuroria të tregojë se është në lartësinë e duhur.