Hetimi i presidentit Trump kalon në seanca të hapura, republikanët planifikojnë mbrojtje të fuqishme

0
7

Përkrahësit republikanë të Presidentit Donald Trump po planifikojnë një mbrojtje të fuqishme të tij ndërsa e mërkura shënon fillimin e dëshmive publike në Dhomën e Përfaqësuesve lidhur me hetimet që kanë vënë në shënjestër presidencën e tij.

Zyrtarët e administratës Trump presin të dëgjojnë disa orë dëshmi nga dy zyrtarë të Departamentit të Shtetit – William Taylor, diplomati më i lartë aktual amerikan në Ukrainë dhe George Kent, i cili mbikëqyr çështjet e Ukrainës. Të dy zyrtarët kanë thënë se Presidenti Trump i bëri presion Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskiy për të hapur hetime ndaj njërit prej sfiduesve kryesorë demokratë të zotit Trump në zgjedhjet e 2020-s, ish-nënpresidentit Joe Biden, si kusht që të zhbllokonte ndihmën ushtarake prej 391 milion dollarësh për Kievin, i cili e kërkonte për të luftuar separatistët pro-rusë në pjesën lindore të vendit.

Por republikanët, sipas memorandumeve që qarkulluan mes anëtarëve të partisë të hënën dhe të martën, planifikojnë të ngrejnë dyshime të forta rreth mënyrës se si e kanë kuptuar dy zyrtarët politikën e zotit Trump për Ukrainën. Ata pritet të këmbëngulin gjithashtu se Presidenti Trump ka një “skepticizëm të thellë, real dhe të arsyeshëm” për korrupsionin në Ukrainë dhe se vonimi i ndihmës ishte “plotësisht i arsyeshëm”.

Në një telefonatë në fund të korrikut me Presidentin Zelenskiy, zoti Trump i kërkoi udhëheqësit ukrainas “një favor”, hetimin e ish-nënpresidentit Biden, punën e djalit të tij Hunter Biden në një kompani ukrainase të gazit natyror dhe një teori tashmë të pavërtetuar se ishte Ukraina që kishte ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016 të fituara nga Presidenti Trump e jo Rusia, siç konkludoi komuniteti i inteligjencës amerikane.

Por, një dokument për strategjinë republikane që po qarkullon në ndërtesën e Kapitolit përvijon një numër argumentesh mbrojtëse për Presidentin Trump gjatë seancave në Kongres. Ndër kryesorët është argumenti se thirrja telefonike e 25 korrikut “nuk tregon asnjë kushtëzim ose dëshmi presioni”.

Presidenti Trump ka vazhduar të hedhë sulme kundër hetimit për ngritje akuzash që synojnë shkarkimin e tij, hera e tretë e një procesi të tillë në historinë 243-vjeçare të SHBA.

“Një mashtrim total i dëmokratëve që nuk dinë të bëjnë asgjë,” shkruante Presidenti Trump në Twitter.

“Pse një përqendrim i tillë tek dëshmitarë të dorës së dytë dhe të tretë, shumë prej të cilëve janë njerëz që nuk e duan Trumpin, ashtu si dhe avokatët e tyre, në një kohë kur gjithçka duhet të bëni është të lexoni të zbardhur thirrjen telefonike me Presidentin e Ukrainës dhe ta shihni atë me sytë tuaj?” shkruante presidenti një tjetër koment në Twitter.

Kongresmeni Adam Schiff, personi kryesor që ngul këmbë në shkarkimin e zotit Trump, u tha të 435 anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve se seancat që do të transmetohen në televizion “kanë për qëllim të nxjerrin në dritë faktet për popullin amerikan”.

Schiff, kryetari i Komisionit të Inteligjencës në Dhomën e Përfaqësuesve, që mbikëqyr hetimin, tha se Taylor, Kent dhe një dëshmitare e tretë që pritet të dëshmojë të premten, Marie Yovanovitch, ish-ambasadore amerikane në Kiev, “sjellin dekada të tëra përvoje në shërbimin e tyre të përkushtuar dhe shembullor për vendin tonë, dhe unë besoj se është me rëndësi jetike që populli amerikan dhe të gjithë anëtarët e Kongresit të dëgjojnë me fjalët e tyre ato që përjetuan dhe dëshmuan”.

Republikanët nga ana e tyre thanë se “demokratët duan të fajësojnë Presidentin Trump sepse burokratët e pazgjedhur dhe anonimë nuk ishin dakord me vendimet e presidentit dhe u shqetësuan nga thirrja e tij telefonike me Presidentin Zelenskiy. Presidenti punon për popullin amerikan. Presidenti Trump po bën atë për të cilën amerikanët e zgjodhën të bëjë.”

Taylor, Kent dhe Yovanovitch janë ndër zyrtarët aktualë dhe të mëparshëm diplomatikë dhe të sigurisë kombëtare që dëshmuan pas dyerve të mbyllura javët e fundit.

Në dëshmitë e tyre ata shpjeguan me hollësi sesi Presidenti Trump dhe ndihmësit e tij e shtrënguan Ukrainën për të filluar hetimet ndaj zotit Biden dhe rreth përfshirjes së përfolur të Ukrainës në zgjedhjet amerikane të 2016s.

Të hënën, Presidenti Trump e kritikoi hetimin si një “Gjueti shtrigash dhe totalisht të njëanshëm.” Ai gjithashtu hodhi idenë se mund të publikojë tekstin e plotë të zbardhur të thirrjes së tij të parë telefonike me Zelenskiy-n, e cila u zhvillua në prill menjëherë pas zgjedhjes së Zelenskiy-t.

Hetimi mori shkas nga ankesa e një informatori qeveritar anonim, i cili tha se ishte i shqetësuar nga kërkesa e Presidentit Trump drejtuar Zelenskiy-t për hetimin ndaj zotit Biden, pasi dukej se presidenti po kërkonte ndihmën e një qeverie të huaj për zgjedhjet e 2020-s. Sipas ligjit amerikan të financimit të fushatave, është e paligjshme të kërkosh ndihmë nga një qeveri e huaj për të ndihmuar një kandidat në zgjedhje.

Presidenti Trump thotë se telefonata ishte “e përsosur” dhe se ai nuk bëri asgjë të gabuar.

Zoti Schiff ka ftuar republikanët të paraqesin një listë të dëshmitarëve që duan të marrin në pyetje, por ka hedhur poshtë dy figurat më të spikatura në listën e dëshirave të tyre: Hunter Biden dhe personin anonim që ngriti i pari ankesën.