Hetimi nga BIRN: Socialistët kanë krijuar një ushtri prej 9000 “patronazhistësh” që kontrollojnë votuesit e qarkut Tiranë…

0
24
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Një analizë statistikore e databazës së rrjedhur në media për menaxhimin e votuesve sugjeron se shumica dërrmuese e “patronazhistëve” të Partisë Socialiste, janë të punësuar në administratën publike qendrore dhe vendore, përfshirë edhe të punësuar në institucionet që e kanë të ndaluar me ligj aktivitetin partiak, të tilla si Garda e Republikës, apo Policia e Shtetit. BIRN e përdori databazën për të identifikuar numrin dhe vendin e punësimit të personave të shënuar nga partia si “patronazhistë”, një term që është krahasuar gjerësisht me ish-bashkëpunëtorët famëkeqë të Sigurimit të Shtetit nën diktaturë, por që për Kryeministrin Edi Rama dhe kryebashkiakun Veliaj janë anëtarë partie që bëjnë punë të vyer.

Lajmi për ekzistencën e databazës u publikua fillimisht nga “Lapsi.al” të dielën e kaluar, ndërsa databaza qarkulloi gjerësisht nëpër internet gjatë javës, duke u bërë një sekret që e dinë të gjithë. Databaza përmban 910,061 rreshta, ku në çdo rresht gjenden gjeneralitetet dhe të dhënat personale të një qytetari. Qytetari më i moshuar në databazë ka lindur në vitin 1922, ndërsa më i riu në 31 dhjetor 2002. Që të gjithë në databazë kanë të drejtë votimi dhe janë banorë të qarkut Tiranë. Rreth një në çdo pesë qytetarë në listë kanë të shënuar institucionin publik apo kompaninë private ku janë të punësuar, ndërsa për afro 70 mijë votues, “patronazhistët” kanë lënë shënime të ndryshme.

PATRONAZHISTËT NË QARKUN E TIRANËS

BIRN identifikoi emrat e “patronazhistëve” dhe i ballafaqoi ato me listën e votuesve për të zbuluar numrin e tyre, si dhe vendin e punës. Gjithsej rezultuan 9027 “patronazhistë”, ose afërsisht një për çdo njëqind votues. Nga këta, 1984 vetë nuk ishin të përfshirë në databazë si votues, gjë që sugjeron se janë “patronazhistë” në Tiranë, por jo votues të qarkut Tiranë. Duke qenë se nuk gjenden në databazë, të dhënat e punësimit për këta “patronazhistë” nuk gjenden. Nga 7133 “patronazhistët” që mbeten, 4205 vetë kanë emër unik, pra emri dhe mbiemri i tyre përputhen me vetëm një individ në listën e votuesve të patronazhuar, gjë që do të thotë se punësimi i tyre mund të identifikohet me një shkallë të lartë sigurie. Emrat e pjesës tjetër prej 2928 vetash përsëriten në databazë dy ose më shumë herë.

Në një rast, emrin dhe mbiemrin e një “patronazhisti” e mbajnë edhe 36 qytetarë të tjerë. BIRN përdori emrat unikë për të parë se ku janë të punësuar këta “patronazhistë”. Alban Dafa, hulumtues për çështje të sigurisë dhe qeverisjes pranë Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, tha se e sheh çështjen e “patronazhistëve” si problematike në aspektin e vijueshmërisë së regjimit të kontrollit politik që nga periudha komuniste. “Kemi të bëjmë me një sistem paralel grumbullimi informacioni jashtë kanaleve zyrtare veçanërisht shqetësues, nëse marrim parasysh se edhe shefi i Shërbimit Informativ është i markuar nga një ‘patronazhist’”, tha Dafa. “Për të kuptuar natyrën dhe shkallën e problemit, është mjaft e rëndësishme që për këtë çështje të kryhet një hetim parlamentar”, shtoi ai.

ADMINISTRATA FURNIZON “USHTRINË” E “PATRONAZHISTËVE

Ndarja e shtetit nga partia në pushtet dhe krijimi i një administrate publike profesioniste jopartiake është një nga themelet e shtetit të së drejtës dhe një nga kushtet që Shqipëria duhet të plotësojë për integrimin në Bashkimin Europian. Megjithatë, disa mijëra prej “patronazhistëve” të identifikuar nga BIRN punojnë kryesisht në administratën publike, qendrore apo vendore, si dhe në morinë e kompanive nën pronësi shtetërore. Bashkia Tiranë, ajo e Kavajës apo Bashkia e Rrogozhinës kanë një numër të madh “patronazhistësh” të punësuar prej tyre dhe po kështu kanë edhe Rezidenca Studentore Universitare 1 dhe 2, kompani shtetërore që kanë nën administrim konviktet universitare dhe që janë nën varësinë e Bashkisë Tiranë apo Agjencia Tirana Parking, e cila arkëton të ardhura nga parkingjet me pagesë në rrugët e Tiranës. Stafi i Bashkisë Qendrore në Tiranë numëron rreth 300 “patronazhistë”, Bashkia e Kavajës 190, ndërsa Bashkia e Kamzës ka 60 të tillë. Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit rezulton se ka rreth 30 “patronazhistë” dhe po kaq ka edhe Drejtoria e Përgjithshme e Taksave Vendore. “Patronazhistë” ka furnizuar edhe Agjencia e Shërbimeve Funerale, e cila menaxhon varrezat e qytetit Tiranë apo Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit. Edhe kompania shtetërore e shumëdebatuar së fundmi për shkak të grevës së pashpallur të punonjësve, “Albcontroll”, rezulton se ka 11 “patronazhistë”. Posta Shqiptare ka rreth 100 emra në listë. AKSHI, institucioni i shumëdebatuar dhe i akuzuar si burimi i mundshëm i një pjese të informacionit në këtë databazë, ka së paku nëntë “patronazhistë”. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, si dhe Drejtoria Rajonale Tatimore Tiranë kanë “patronazhistët” e tyre. Kompanitë shtetërore, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes dhe Furnizuesi i Shërbimit Universal kanë së bashku mbi 250 “patronazhistë”, ndërsa edhe Korporata Elektroenergjitike Shqiptare, drejtori i së cilës garon aktualisht në Shkodër për Partinë Socialiste, ka një numër të kufizuar “patronazhistësh”.

Segmente të tjera të administratës publike, të tilla si drejtoritë arsimore apo administrata e çerdheve dhe kopshteve numërojnë me qindra “patronazhistë”, ndërsa një numër jo i vogël rezultojnë të punësuar në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës. Informacioni i grumbulluar nga “patronazhistët” përfshin edhe elementët më personalë të jetës private, përfshirë të dhëna nëse dikush është i sëmurë apo i përket një religjioni të caktuar. Në dy raste, votuesit janë identifikuar si “LGBT”, ndërsa në disa raste të tjerë si “katolikë” që rrjedhimisht janë të lidhur me një parti të caktuar. Mes shënimeve të “patronazhistëve” nuk mungojnë as rastet e racizmit, ku disa qytetarëve u është referuar si “dorë e zezë”, term pezhorativ që përdoret për të identifikuar shqiptarët egjiptianë apo romë. Në shumë raste, “patronazhistët” i kanë identifikuar votuesit veçanërisht si “romë” dhe kanë shtuar shënimin “po punojmë”. Nuk mungon as identifikimi i votuesve si “të sëmurë” apo “sindroma doën”, ndërsa në një rast të popullarizuar edhe në median sociale, shkruhet: “ndoshta nuk vjen. Është me ‘pampers’, por do ta ngremë për leckash.

“PATRONAZHISTË”, EDHE NË FORCAT E ARMATOSURA APO POLICI
Zbulimi i databazës shkaktoi debat të gjerë në shoqërinë shqiptare, ndërsa një pjesë e qytetarëve e panë idenë e gjurmimit nga një “patronazhist” si një praktikë shoqërie totalitare. Presidenti Ilir Meta i quajti ata “fuksa”, një term pezhorativ i përdorur nga shqiptarët gjatë kohës së komunizmit për bashkëpunëtorët e të frikshmit “Sigurimi i Shtetit”, Policia sekrete, e cila shënjestronte popullsinë jobesnike ndaj partisë për ta persekutuar, internuar apo burgosur. Kryeministri Edi Rama i mori në mbrojtje “patronazhistët”, duke i përshkruar ata si aktivistë të zakonshëm të një partie politike, të tillë që “trokasin nëpër dyer për të kërkuar vota”, ndërsa nuk ka komentuar mbi pyetjet se si ndodhi që këta aktivistë kanë në duar të dhënat personale të të gjithë votuesve.

Edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, në strukturat e të cilit punojnë shumë prej “patronazhistëve” të ekspozuar, deklaroi se ai u është “shumë mirënjohës” atyre dhe i përshkroi si njerëz që “marrin informacion, të japin informacion dhe të prezantojnë programin”. Shënimet që “patronazhistët” kanë lënë në databazë duket se në fakt bëjnë më shumë se sa thjeshtë “prezantojnë programin” apo “marrin informacion”. Në shënimet e lëna nga disa nga “patronazhistët” vihet re përdorimi i referencës TIMS si burim informacioni, nëse një qytetar është apo jo emigrant. BIRN identifikoi disa dhjetëra raste të përdorimit të fjalës TIMS në databazë. Në një të tillë shkruhet: “Emigrante TIMS, por PD”, ndërsa në një tjetër, “Me PS, por emigrant nga Tims Tomori”. TIMS është akronimi i Sistemit të Menaxhimit Total të Informacionit, një databazë konfidenciale me të dhënat e hyrjedaljeve nga kufiri nën administrimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Komentet e shënuara në databazë sugjerojnë se “patronazhistët” e Partisë Socialiste kanë akses në këtë sistem dhe e përdorin atë për të mësuar nëse një votues është apo jo prezent në Republikën e Shqipërisë dhe kur ai është larguar për herë të fundit, informacione këto që shërbejnë për të konkluduar nëse është emigrant afatgjatë. Ministria e Brendshme deklaroi se ajo nuk disponon një listë me emra punonjësish policie të përfshirë në databazën e socialistëve, ndërsa konfirmoi se punonjësit e Policisë së shtetit nuk kanë të drejtë të jenë anëtarë apo aktivistë të një partie politike.

“Ka një çështje të regjistruar nga Prokuroria për rastin në fjalë, e në këto kushte nuk mund të bëjmë asnjë koment, që mund të cenonte këtë hetim,” shtoi ajo. Policia e Shtetit, e cila është përballur me akuza në rritje për sjellje politike në favor të partisë në pushtet, nuk iu përgjigj kërkesës për koment deri në publikimin e këtij shkrimi. Zëdhënësi i Kryeministrit Edi Rama nuk iu përgjigj pyetjeve të dërguara me “e-mail” për mënyrën se si Partia Socialiste ka arritur të aksesojë të dhënat në sistemin TIMS. Megjithatë, BIRN identifikoi disa dhjetëra persona që punojnë si “patronazhistë” në Partinë Socialiste dhe paralelisht janë efektivë të Forcave të Armatosura, Gardës së Republikës apo Policisë së Shtetit. Së paku shtatë “patronazhistë” janë të shënuar në databazë si të punësuar nga Drejtoria e Policisë, ndërsa gjashtë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë. Katër punojnë te Njësia Rajonale e Policisë Rrugore, ndërsa pesëmbëdhjetë të tjerë punojnë te një strukturë e quajtur “Q.SH.A.M.T Ministria e Brendshme”.

Nëntë janë të punësuar në Aparatin e Ministrisë së Brendshme dhe disa prej tyre duket se punojnë në Drejtorinë e Kufirit dhe Migracionit. Gjithsesi, BIRN nuk gjeti të dhëna që të lidhë “patronazhistët” që janë punonjës policie me shënimet që sugjerojnë përdorimin e sistemit TIMS për identifikimin e vendndodhjes së votuesve. Së paku 29 “patronazhistë” janë efektivë të Forcave të Armatosura dhe kanë të shënuar punësimin si, fjala vjen, “REPARTI USHTARAK 5001” apo “REPARTI USHTARAK NR.1020”. Angazhimi i Forcave të Armatosura në fushatën elektorale të një partie politike është në fakt i ndaluar me ligj dhe cenon themelet e rendit kushtetues. Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Forcave të Armatosura nuk iu përgjigjën kërkesave të BIRN për koment të dërguara në “e-mail”-et e tyre zyrtare.

EKSPERTËT

Ekspertët politikë me të cilët foli BIRN, e shohin ekzistencën e databazës si një cenim të rëndë të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme për shkak të shkeljes së të drejtës së qytetarëve për votë të fshehtë dhe si cenim të sigurisë kombëtare dhe të rendit kushtetues. “Skandali i publikimit të të dhënave personale të mbi 910 mijë qytetarëve përbën një kërcënim serioz për sigurinë e qytetarëve dhe integritetin e procesit zgjedhor”, tha Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit të Studimeve Politike në Tiranë. Sipas Krasniqit, skandali bëhet edhe më serioz nga ngadalësia dhe heshtja që kanë treguar institucionet që duhet të hetojnë çështjen, të tilla si Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Komisioneri kundër Diskriminimit apo Prokuroria e Posaçme. “Të dhënat se në grupin e patronazhit politik bëjnë pjesë efektivë të Ushtrisë dhe të Policisë së Shtetit e shndërrojnë skandalin në kërcënim për sigurinë kombëtare. Një vend i NATO-s nuk mund të lejojë burimet ushtarake të përdoren për fushata elektorale dhe për kufizimin e lirive politike,” shtoi ai. Alban Dafa pranë Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim tha se përfshirja e punonjësve të Forcave të Armatosura dhe të Policisë në listën e “patronazhistëve” partiakë tregon nivelin e politizimit të këtyre institucioneve kyçe të sigurisë.

“Politizimi i tyre lë të kuptohet se integriteti institucional është cenuar rëndë. Kjo do të ishte edhe më e problematike, nëse ‘patronazhistët’ e konfirmuar si efektivë të Forcave të Armatosura dhe Policisë mbajnë pozicione të tilla, ku përpunojnë informacion të klasifikuar. Nëse do të ishte kështu, mundet që partitë politike të kenë krijuar një sistem informal të survejimit, prej të cilit në bazë të informacioneve publike, nuk ka shpëtuar as vetë drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror”, tha Dafa. Shqipëria është një vend me të shkuar totalitare ku përgjatë dyzet e pesë viteve të sundimit komunist, një rrjet agjentësh të Sigurimit të Shtetit përgjuan qytetarët në vendet e tyre të punës, në kafene, në shkolla apo edhe brenda familjeve, informacione që partia në pushtet i përdori për të shënjuar kundërshtarët e vet. Në fillim të viteve 1980, rrjeti i bashkëpunëtorëve të sigurimit numëronte 14 mijë vetë në një vend me rreth 2.5 milionë banorë ose afërsisht një spiun për çdo 180 banorë. Partia Socialiste duket se ia ka dalë ta tejkalojë këtë rekord, duke përdorur mbi 9 mijë “patronazhistë” për 910 mijë votues, ose afërsisht një “patronazhist” për çdo 100 votues.

 

Zjarr Tv Ad