Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, akuzoi dje Kryeministrin Edi Rama se kontrollon SPAK-un për të sulmuar kundërshtarët politikë.
Në lidhje me hetimin e nisur nga Prokuroria e Posaçme pas kallëzimit të ish-deputetit Halit Valteri, kryetari i Partisë së Lirisë tha se nuk ka asnjë kuriozitet.
“S’kam asnjë njohuri të veçantë e asnjë kuriozitet për çdo hetim. Jam njohur me urdhrin e porosinë e kryetarit të partisë shtet ne kongresin e partisë se tij ndaj SPAKut për të nisur hetime për Ilir Metën dhe Sali Berishën e ata që i kanë prishur gjumin përgjithmonë këtij zotërie që i ka rënë skema e pasjes së opozitës në xhep e tani me opozitën përballë ka dalë zbuluar me skandalet e tij në krye të qeverisë. Çfarë i thotë Rama-SPAK-ut, ju jeni krijesa të PS-së, ne ju bëjmë dhe ju zhbëjmë. Këto muhabete më tha kështu jo ashtu, nuk kanë vlerë me mua. Unë jam ai politikan që nuk kam frikë nga drejtësia. Nëse SPAK do të prodhojmë lajme vere nga mediat e Rilindjes që paguhen nga inceneratorët, mund të japim dhe të gjithë emrat e mediave dhe gazetarëve që marrin lekë nga inceneratorëve”, tha Meta në një intervistë për “Euronews Albania”.
Ndërkohë, Meta shtoi se krimet më të mëdha, Rama i ka bërë duke spekuluar me SHBA-në.
“Mendoj që Edi Rama, mashtrimet më të mëdha në Shqipëri, krimet më të mëdha i ka bërë duke spekuluar me SHBAnë. Është shkelës i ligjeve amerikane. Kjo vërtetohet me zotin Bilal në Amerikë, i cili ka bërë burg. Ky ka shpëtuar me një marrëveshje bashkëpunimi. Se çfarë thotë Edi Rama, janë përralla. Ne dimë që do të vazhdojmë revolucionin antikorrupsion. Edhe ata që janë përpara drejtësisë, janë të bëra nga Ilir Meta me fakte, prova dhe numra llogarie. Gjithë të tjerat, SPAK-u dhe të tjerët janë të vonuar. Ky vonim krijon një problem të madh”, u shpreh kryetari i PL-së.
ÇËSHTJA ME GAZETËN AUSTRIAKE
Ndërkaq, ish-Presidenti deklaroi dje se kishte vendosur që të mos vazhdonte më çështjen me gazetën austriake, pasi sipas tij kostot e zyrës juridike ishin të larta dhe dëmshpërblimi që mund të merrte pasi të fitonte çështjen ishte i ulët. Por, Meta la të kuptohet se artikulli kundër tij në gazetën austriake është sponsorizuar nga pronarët e inceneratorëve që sipas tij ndodhen në Austri.
“Mund t’ju them se kjo gjë mu vlerësua e panevojshme dhe jo produktive nga disa kompani që merren me shpifje. Padyshim që gjyqi ishte i fituar. Për shkak të ligjeve austriake, kompensimi do ishte i përmasave modeste, ndërkohë që shpenzimet për ndjekjen e këtij gjyqi ishin të larta dhe për efekt për transparencën, nuk ia vlente. 300 euro ora për një studio ligjore. Ishte një gjë e panevojshme, gazeta vetëm ka prodhuar shpifje. Këto padyshim që vijnë për shkak se të kërkuarit janë në Vjenë. Ai që ka bërë kallëzimin, herë pas here ka qenë në Vjenë. Nuk kemi ndërmend të harxhojmë energji të kota me regjimin e inceneeratorëve”, tha Meta.
Ndërkaq, ish-Presidenti paralajmëroi Kryeministrin Rama se shtatori do të jetë përballje.
“Që nga 25 korriku unë kam dalë përballë të gjithë atyre të cilët kanë një kohë të gjatë që punojnë kundër interesave kombëtare, interesit të shtetit tonë, interesit publik, kundër rinisë, duke nxitur depresionin, demotivimin e saj e largimin me qëllim zëvendësimin me bangladeshas. Unë mezi po e pres 1 ,2 shtatorin e në vijimësi, tani jemi në një fushë ku pa asnjë diskutim do fitojë e drejta, e vërteta, ata patjetër do stisin e do shpikin por këtë radhë do shpartallohen. Për Ilir Metën ata do bien vetë e nuk e dinë që nuk është thjesht një gropë, por një humnerë pafund për ta në të cilën ata do bien vetë”, tha ai.
GARA PËR BASHKINË E TIRANËS
Ndërkohë, kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta zgjodhi të mos jap një përgjigje të drejtpërdrejtë nëse do të kandidojë për bashkinë e kryeqytetit.
“Nuk e di se për çfarë artikulohet më parë emri im. E rëndësishme është që Bashkia e Tiranës, do t’i rikthehet qytetarëve të Shqipërisë, ashtu si dhe Bashkia e Durrësit dhe shumica e bashkive të vendit. 4 vjet pushtet 100% i Rilindjes është shumë i qartë dhe dramën më të madhe e kishte Tirana, ku Teatri Kombëtar u shemb në mes të natës dhe gjatë pandemisë. Tirana që janë vrarë aq shumë hapësira të gjelbra. Çdo kandidat i opozitës së vërtetë do jetë triumfues. Besoj që opozita ka shumë alternativa brenda saj, ka një filozofi krejt tjetër, që e duan me shpirt dhe zemër.
Secili do ketë mbështetjen time. Aktet më të rëndësishme për Tiranën janë marrë nga unë si Kryeministër. Pavarësisht se Rama përpiqej që t’i shiste si arritjet e tij. Ju shumë parqe lodrash, i keni parë se çfarë ndodhi kur i kishte gjithçka në dorë”, tha Meta